Federata e Futbollit, në bashkëpunim me Fondacionin “Fryma e Dashurisë”, zhvilloi aktivitetin sportiv “UEFA Playmakers” në shkollën 9-vjeçare “Protagonistët”, duke sjellë një tjetër ditë të veçantë për vajzat e vogla që po hedhin hapat e parë në botën e futbollit.
Në këtë aktivitet morën pjesë vajza të grupmoshës 5-8 vjeç, të cilat u përfshinë në lojëra dhe ushtrime të ndryshme të drejtuara nga trajnerë të trajnuar në kuadër të këtij programi. Seancat u zhvilluan në një atmosferë argëtuese dhe kreative, ku përmes lojës, fantazisë dhe historive frymëzuese, vajzat patën mundësinë të njihen më nga afër me elementët bazë të futbollit.
Programi “UEFA Playmakers”, që zbatohet nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n, synon të prezantojë futbollin te vajzat e vogla në një mënyrë argëtuese dhe edukative, duke përdorur historitë dhe personazhet e njohur të filmave Disney për të nxitur imagjinatën dhe pjesëmarrjen aktive të tyre.
Përmes këtij projekti, Federata e Futbollit vazhdon të promovojë futbollin e vajzave në vendin tonë, duke krijuar një mjedis të sigurt, argëtues dhe frymëzues ku vajzat mund të zhvillojnë aftësitë e tyre sportive, të ndërtojnë besim në vetvete dhe të krijojnë miqësi të reja përmes sportit.
