
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistë për Top Channel me gazetarin Endi Tufa, ka folur për përgatitjet dhe rëndësinë e sfidës ndaj Serbisë, një ndeshje që pritet me interes të madh nga opinioni sportiv.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar theksoi se synimi kryesor është arritja e një rezultati pozitiv, duke zhvilluar një ndeshje korrekte dhe në frymën e garës sportive.
Gjithashtu, Presidenti Duka komentoi edhe procesin e shpërndarjes së biletave përmes shortit kompjuterik, duke garantuar transparencë të plotë dhe ndjekjen e standardeve të UEFA-s.
Më poshtë, intervista e plotë e Presidentit Duka për Top Channel:
Ndeshja ndaj Serbisë? – Detyra jonë është ta organizojmë mirë, ta luajmë mirë dhe të marrim 3 pikët. Këtë ia kam thënë edhe drejtuesve të Federatës së Serbisë, që ne do ta përgatisim ndeshjen si të tillë dhe ata do të vijnë këtu si një kundërshtar sportiv dhe asgjë më tepër. Kam besim që do të ketë një atmosferë sportive, por padyshim të luftuar sportivisht.
Presioni te futbollistët? – Jemi të gjithë qenie njerëzore dhe futbollistët gjithashtu, që ndikohemi nga ambienti. Do të përpiqemi maksimalisht që ta ndajmë pjesën sportive nga të gjitha emocionet jo sportive. Ajo që i them futbollistëve apo çdo njeriu është që në këtë situatë puna jote është që të bësh mirë këtë që të kanë kërkuar dhe që të kanë ngarkuar, futbolli. Nëse ne fitojmë një ndeshje futbolli, kushdo le ta shohë si të dojë, por duhet ta fitosh një herë, pasi ta fitojmë është një lloj abstraksioni që kushdo e sheh si të dojë, por e mira është që ta fitojmë.
A është kjo si një finale për ne, për objektivin tonë që është vendi i dytë në grup? – Një rezultat pozitiv, 3 pikë në këtë ndeshje, vërtet na japin shumë arsye dhe shpresë për ta vazhduar dhe synuar vendin e dytë. Nëse ndodh ndryshe, gjërat vështirësohen. Por kjo nuk do të thotë që edhe nëse ne fitojmë ndeshjen, e sigurojmë vendin e dytë.
Si mendoni që ne mund ta fitojmë këtë ndeshje përballë Serbisë? – Nuk mund të matemi thjesht me kualitetet sportive individuale. Serbia në përbërjen e vet ka kualitete shumë të mira, që luajnë në ekipe të forta, të vlerësuar ekonomikisht në merkaton e futbollistëve me shifra të larta, por për t’i bashkuar bashkë dhe për t’i bërë skuadër, unë mendoj se ne kemi ekip më të mirë.
Në një ndeshje me një interesim të tillë, përse u përdor metoda e një shorti kompjuterik? – Kur kërkesa është 20 fish apo 30 fish më e madhe, padyshim që çdo gjë do të ishte e dyshimtë, por unë ju garantoj që ai është një short i rastësishëm që e bën vetë sistemi dhe ky short dhe sistem është i njëjti që përdor UEFA për ndeshjet e Europianit apo të Champions League për biletat që shiten në shitje të lirë. Nëse do t’i nxirrnim online pa një short, mund të ishte akoma edhe më e kritikueshme, apo njerëzit do t’i bënte të rrinin përpara kompjuterit me orë të tëra, ndërsa kështu e kemi konsideruar një gjë më të përshtatshme dhe më të mirë për këtë ndeshje.