
Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF 2025 mbajti punimet këtë të mërkurë në “Shtëpinë e Futbollit, duke bërë bashkë të gjitha strukturat përfaqësuese të futbollit shqiptar.
Nën drejtimin e Presidentit Armand Duka dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, në këtë Asamble morën pjesë jo vetëm përfaqësuesit e shoqatave anëtare, por nderuan me praninë e tyre edhe përfaqësuesi i FIFA-s, Marco Ferri, përfaqësuesi i UEFA-s, Jozef Kliment si edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj.Ogerta Manastirliu.
Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Presidentit Armand Duka gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së.
“Të nderuar miq e të ftuar,
E nderuar znj. Ministre Manastirliu,
I nderuar Marko,
I nderuar Jozef,
Të dashur anëtarë të Asamblesë sonë,
Është gjithmonë një kënaqësi dhe privilegj për mua t’ju uroj mirëseardhjen në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, e cila është, pa as më të voglin dyshim, një nga periudhat më historike dhe më me rezultate për federatën tonë.
Në këtë fjalim të shkurtër përshëndetës, por edhe pasqyrues, nuk do të hyj në detaje, pasi ato janë në rendin e ditës dhe janë të shpjeguara ccdo shpenzim, ccdo e ardhur dhe ccdo aktivitet i FSHF-së në vitin e kaluar, që do të votohet nga ju dhe do të kërkohet mbështetja për buxhetet e viteve 2025 dhe 2026.
Dua ta nis me një nga ngjarjet më të bukura të vitit që lamë pas. Për herë të dytë në historinë tonë 95- vjeçare, brenda një periudhe prej vetëm 8 vitesh, u kualifikuam në finalet e një Kampionati Europian, pasi u renditëm të parët në grupin kualifikues.
Shorti na vuri përballë kundërshtarëve të fortë: kampionëve në fuqi të Europës – Italisë; nënkampionëve të Botës-Kroacisë; dhe ekipit që në fund do të fitonte Kampionatin Europian -Spanjes.
Çdo gjë u përgatit me shumë kujdes dhe profesionalizëm nga administrata e FSHF-së. Organizimi, akomodimi dhe të gjitha elementet e tjerë iu përgjigjën denjësisht nivelit të këtij kampionati të rëndësishëm. Ekipi zhvilloi fazën përgatitore në Austri dhe më pas në Gjermani. Në qendrat stërvitore të ekipit u krijuan të gjitha kushtet e akomodimit dhe stërvitjes për ta bërë ekipin të ndihej sa më mirë dhe të jepte maksimumin e tyre në fushë.
Goli më i shpejtë në historinë e Kampionateve Europiane, i shënuar nga futbollisti ynë Nedim Bajrami në sekondën e 23-të të sfidës ndaj Italisë, është një moment që do të mbetet përjetesisht në historinë e futbollit europian dhe botëror, duke veccuar gjithashtu edhe paraqitjen dinjitoze të ekipit, në ndeshjen kundër Kroacisë dhe mbështetjen fantastike të publikut shqiptar, që ishte gjithmonë aty për t’i dhënë zemër Kombëtares.
Në pjesën e dytë të vitit, Kombëtarja mori pjesë për herë të dytë në ligën B në UEFA Nations League, në një grup të balancuar me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Deri në ndeshjen e fundit ndaj Ukrainës, kishim mundësinë reale për të fituar grupin, por një rezultat pozitiv na mungoi në momentin vendimtar.
Përfundimisht, u renditëm në vendin e katërt me 7 pikë, një kuotë më e lartë se çdo skuadër tjetër e renditur në vendin e katërt në grupet e Ligës B. Ky edicion tregoi nivel të lartë konkurrues dhe, ndonëse nuk arritëm objektivin, mbetëm në garë deri në sekondat e fundit, në një grup ku gjithçka vendosej në detaje.
Kualifikueset për Botërorin USA 2026 na vendosen përballë një grupi tepër të vështirë me kundërshtarë si Anglia, Serbia, Letonia dhe Andorra ku pas katër ndeshjesh kemi grumbulluar 5 pikë dhe jemi në vendin e dyte. Në sfidat me Serbinë dhe Letoninë treguam karakter, guxim dhe cilësi, edhe pse rezultati nuk reflektoi plotësisht atë që dhamë në fushë.
Jemi ende në garë, tashmë jo më si favoritë dhe plotësisht të ndërgjegjshëm për vështirësitë që na presin. Por ekipi do të luftojë deri në ndeshjen e fundit kundër Anglisë në Tiranë, duke shpresuar fort që ajo të jetë një finale vendimtare. Kam besim të plotë te futbollistët tanë, te stafi teknik dhe administrativ i FSHF-së, por edhe te publiku që na mbështet pa kursim.
Jam thellësisht mirënjohës dhe do t’u jem përjetësisht falënderues djemve të ekipit kombëtar për emocionet e paharrueshme që na kanë dhuruar.
As ata dhe as ne nuk kërkojmë të quhemi “heronj” kur fitojmë, por as “tradhtarë” kur humbasim, sidomos nga ata që i japin të drejtën vetes të të quajturit “patriotë”. Jemi thjesht një skuadër që jep maksimumin në një lojë të bukur, ku fitorja, barazimi apo humbja janë pjesë e saj. Kritika është e natyrshme pas një humbjeje, por nuk duhet të bëhet një rast i pritur me padurim për të zbrazur mllefin në emër të nacionalizmit dhe patriotizmit.
Mbase u ndala pak më gjatë te Kombëtarja A, por viti 2024 ka qenë po aq dinamik dhe i frytshëm edhe për kombetaret e tjera , ku janë evidentuar hapa solide përpara në të gjitha nivelet.
Kombëtarja A e vajzave, nën drejtimin e trajnerit Grima, u paraqit denjësisht në Ligën C të Nations League, duke u renditur e para në grup dhe duke siguruar ngjitjen në Ligën B, ku gjatë vitit 2025 u rendit e treta në grup, duke arritur dy fitore të rëndësishme ndaj Kroacisë.
Për herë të parë në histori, vajzat e Kombëtares iu afruan ndjeshëm ëndrrës për pjesëmarrje në finalet e Kampionatit Europian, duke treguar qartë për seriozitetin dhe vazhdimësinë e punës me këtë ekip, që po ndërtohet me standarde gjithnjë e më të larta.
Në vijimësi, edhe ekipet e moshave për djemtë po afirmohen si burime të rëndësishme për të ardhmen. Kombetarja U-21 është shndërruar në një urë lidhëse efektive drejt ekipit A, me lojtarë që tashmë po gjejnë hapësira në nivelet më të larta.
Ekipet U-19 dhe U-17, si për djemtë ashtu edhe për vajzat, po ndjekin të njëjtën rrugë zhvillimi, duke ndërtuar një vazhdimësi të konsoliduar me fokus të qartë në rritjen e cilësisë dhe afrimin e talenteve të rinj drejt elitës. Ndërkohë, pjesëmarrja e Kombëtares U-17 në finalet e Europianit 2025 ishte një eksperiencë e vyer si për futbollistët, ashtu edhe për të gjithë ne.
Rritja që po përjetojnë ekipet tona kombëtare nuk është rastesi, por dëshmi e një pune të strukturuar dhe të përkushtuar në çdo hallkë.
Krahas progresit në fushë, kemi forcuar ndjeshëm profilin tonë si vend organizator në arenën europiane. Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi mirëpritur 11 turne zyrtarë të UEFA-s, ndërsa në gjysmën e parë të këtij viti janë zhvilluar 5 të tillë dhe 7 të tjerë janë planifikuar deri në fundvit. Turne që na ndihmojnë jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë financiar dhe promovues për vendin.Kjo ecuri nuk është thjesht statistikë, por është dëshmi e një partneriteti të ndërtuar me besim, korrektësi dhe standarde të larta.
Kampionati i U-17 u ndoq nga një numër i kënaqshëm spektatorësh në shkallët e stadiumeve, me një mesatare prej 4,700 spektatorësh për ndeshje, duke u bërë kampionati i dytë europian për 17-vjeçarë me më shumë spektatorë, pas rekordit të Gjermanisë 2018 me 5,500 spektatorë për ndeshje.
Për këtë aktivitet, investuam mbi 5,4 milion euro vetëm në infrastrukturë, me ndërhyrje të thelluara në stadiumet “Egnatia Arena”, “Elbasan Arena”, “Niko Dovana” dhe në një fushë të re në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Gjithashtu, rikonstruktuam fushat e stadiumeve: “Selman Stërmasi”, “Skënder Halili”, “Roza Haxhiu”, “Tofik Jashari”, “Luzi i Vogël” dhe kompleksin “Tropikal”, të cilat ishin të domosdoshme për stërvitjet e ekipeve pjesëmarrëse dhe që tashmë do t’i mbeten futbollit shqiptar.
Ne fakt, kur kandiduam për të qenë mikpritës të këtij turneu, kishim edhe premtimin nga Ministria e Arsimit për mbështetje financiare, por deri tani nuk ka ndodhur. Urojmë që në ditët në vijim Ministria të përmbushë këtë angazhim të e saj. Në të kundërt, do të vërë në pikëpyetje për aktivitetet e ardhshme.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, gjetem mbeshtetjen e partnereve si Vodafone, Credins Bank, Tepelena, Abissnet, Everest, Eurolab, Elka dhe T-ticket.
Sot, ne nuk jemi thjesht pjesë e rrjedhës së futbollit europian, por një zë me peshë, një model pune dhe një partner i denjë në tryezat ku ndërtohet e ardhmja e këtij sporti. Pikërisht më 11 shtator të këtij viti, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mbajë mbledhjen e tij dhe do të marrë vendime të rëndësishme këtu, në Tiranë.
Dje, në Komisionin Parlamentar, është propozuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, ndryshimi i ligjit për sportin. Pa mirëkuptimin e asnjë të interesuari për sportin dhe me kundërshtimin e argumentuar nga ekspertët tanë. Ai synon të krijojë një arbitrazh sportiv klientelist, aspak të pavarur dhe jo profesional.
Në emër të organizatës më të madhe sportive në vend, i bëj thirrje për reflektim MAS-së, Komisionit Parlamentar dhe Parlamentit, që mos ta votojë atë ligj. – Por të bashkëpunojmë me të gjitha federatat sportive, grupet e interesit dhe të prodhojmë një paketë ligjore që do t’i shërbejë zhvillimit të sportit!
Në themel të vizionit tonë qëndron ndërtimi i kapaciteteve profesionale në të gjitha nivelet. Përmes një rrjeti të gjerë trajnimesh, kursesh dhe shkëmbimesh ndërkombëtare eksperiencash, po përgatisim trajnerë dhe specialistë sipas standardeve të UEFA-s.
Gjatë kësaj periudhe kemi organizuar 24 kurse të ndryshme formimi me gjithsej 684 të diplomuar, si dhe edicionin e dytë të programit UEFA CFM, i cili synon të rrisë aftësitë profesionale dhe menaxheriale të zyrtarëve të FSHF-së dhe klubeve.
Krahas angazhimit me ekipet kombëtare dhe skenën ndërkombëtare, zhvillimi i garave vendase mbetet një shtyllë themelore e strategjisë sonë. Sezoni aktual ka reflektuar rritje të dukshme në cilësi, organizim dhe interes publik, falë përmirësimit të formateve dhe angazhimit të vazhdueshëm në kampionatet për djem dhe vajza në të gjitha nivelet. Këto përparime janë rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë me klubet, shoqatat dhe aktorët lokalë, të cilët luajnë një rol kyç në promovimin e talenteve të rinj.
Skema e re “Final Four”, me gjithë kritikat dhe skepticizmin, solli më shumë emocion dhe rivalitet deri në fund. U rrit ndjeshëm ndjekja mediatike, stadiumet patën më shumë tifozë dhe interesi i publikut u shtua dukshëm.
Ne sezonin 2024–2025, janë organizuar e menaxhuar për djem e vajza:
26 kampionate kombëtare,
Me 319 ekipe pjesëmarrëse,
5,515 lojtarë të aktivizuar,
Në 2,783 ndeshje të zhvilluara,
Te gjykuara nga 330 arbitra, 58 vëzhgues dhe 85 delegatë të angazhuar.
Me sistem VAR të zbatuar në 100% të ndeshjeve të Abissnet Superiore dhe 30% të Kategorisë së Parë
Të ndjekura nga 273,250 spektatorë në stadiume, me një rritje prej 7.7% krahasuar me edicionin e kaluar
Numri total i lojtarëve të regjistruar në sezon arriti në 23,374 – nga të cilat 1,729 janë vajza e 2900 me shume se një sezon më parë.
Për të tretin vit radhazi është stimuluar financiarisht aktivizimi i lojtarëve të rinj 16–21 vjeç në Kategorinë e Parë, duke shpërndarë për sezonin 2024–2025 shumën prej mbi 13,289,798 lekësh të reja, me një total prej 31,173,554 lekësh në tre vite. Përfitues kanë qenë klube si Apolonia, Erzeni, Burreli, Kukësi, Korabi, Kastrioti, Vora, Valbona, Pogradeci, etj.
Sektori i arbitrimit ka shënuar një rritje të ndjeshme në cilësi dhe përfaqësim, duke arritur nivele rekord në arenën ndërkombëtare. Shqipëria regjistroi për herë të parë në historinë e saj 19 arbitra me stemën e FIFA-s, përfshirë 12 djem, 6 vajza, 1 arbitër në futsal dhe 2 vëzhgues të UEFA-s.
Zyrtarët shqiptarë u angazhuan në 47 ndeshje ndërkombëtare. Rritja është reflektuar edhe në nivel kombëtar përmes Akademisë së Arbitrimit, fushatës “Bëhu Arbitër” dhe mbështetjes institucionale të FSHF-së, që sollën shtim të ndjeshëm të numrit të arbitrave aktivë: nga 301 në sezonin e kaluar ne 327 këtë sezon.
Në të njëjtën kohë, janë zhvilluar trajnime të rregullta dhe të strukturuara që kanë përmirësuar cilësinë e vendimmarrjes, qasjen profesionale dhe koherencën në zbatimin e rregullave në të gjitha nivelet e garave. Këto zhvillime konfirmojnë një transformim pozitiv dhe të qëndrueshëm të sistemit të arbitrimit në Shqipëri.
Futbolli amator, apo futbolli për të gjithë, po përjeton një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithnjë e më të dukshëm, me suksese të spikatura brenda dhe jashtë vendit. Nga “Sunday League”, te futsali, futbolli i plazhit, 5×5, e shumë të tjera. Jo vetëm këto, por edhe aktivitete si Replay Cup, projektet Playmaker për vajza 5–8 vjeç, futbolli në shkolla në bashkëpunim me MAS, kampionati për fëmijët me aftësi ndryshe, etj., po e kthejnë futbollin në një mjet të fuqishëm për përfshirje sociale, edukim dhe afrimin e komuniteteve.
Qëllimi ynë është i qartë: Të ndërtojmë një ekosistem të qëndrueshëm futbolli, që ushqen cilësinë në majë, forcon bazën dhe i jep hapësirë çdo lojtari, çdo klubi e çdo qyteti të jetë pjesë e tij!
Përtej zhvillimit të garave dhe angazhimit me komunitetin, FSHF ka vijuar të konsolidojë funksionimin e saj si organizatë, në fusha kyçe si, financat ,komercializimi, dhe drejtësia sportive.
Në një realitet ku burimet janë gjithnjë e më të kufizuara, ne kemi zgjedhur të mos jemi thjesht përfitues të ndihmës, por krijues të mundësive. Kemi ndërtuar një mënyrë funksionimi ku çdo ndeshje e organizuar, çdo partneritet i lidhur, çdo e drejtë televizive, çdo biletë apo fanelle e shitur, kthehet në vlerë reale për futbollin shqiptar.
Vetëm gjatë vitit të fundit kemi gjeneruar mbi 7.2 milionë euro të ardhura,
Nga të cilat 2.1 milionë euro vijnë nga partnerët komercialë,
Kemi realizuar mbi 10,000 shitje të artikujve zyrtarë duke siguruar të ardhura mbi 500 mijë euro,
Kemi finalizuar marrëveshje strategjike me partnerë të rinj si Credins Bank, Western Union, Heatrex GmbH dhe Electronic Arts,
Gjithashtu, kemi nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për të drejtat e transmetimit me RTSH, me një vlerë prej 4.32 milionë euro për tre vite. (e cila pritet të zbatohet në tërësi edhe në aspektin financiar në vijim)
Rinovimi i marrëdhënieve me kompaninë “Abissnet” për të drejtën e emrit të kampionatit “Abissnet Superiore” dhe bashkëpunimi me partnerët tanë historikë – Vodafone Albania, SIGAL UNIQA dhe Uji i Ftohtë Tepelenë – konfirmojnë besimin e tyre në markën FSHF dhe qëndrueshmërinë e saj financiare dhe sportive.
Të gjitha këto vërtetojnë qartë se, kur futbolli udhëhiqet me vizion dhe menaxhohet me integritet, ai nuk mbetet barrë për sistemin, por kthehet në burim të qëndrueshëm zhvillimi, që ushqen vetë rritjen e tij.
Këto vlera të krijuara nuk qëndrojne në qendër, në FSHF, por investohen për: përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e standardeve teknike dhe menaxheriale, mbështetjen e projekteve sociale, formimin e brezit të ri të profesionistëve, forcimin e garave dhe nxitjen e përfshirjes në të gjitha nivelet.
Të ardhurat e siguruara përmes faktorëve që sapo përmenda, të kombinuara me mbështetjen e partnerëve dhe kontributin e trupave qeverisëse të futbollit europian dhe botëror, si UEFA dhe FIFA, janë përkthyer në investime konkrete, me ndikim të drejtpërdrejtë në terren – veçanërisht në infrastrukturë, një nga shtyllat më jetike për rritjen afatgjatë të futbollit shqiptar.
Vetëm gjatë vitit të fundit, Federata Shqiptare e Futbollit ka realizuar një prej programeve më të mëdha historike të investimeve në infrastrukturën sportive, me një buxhet prej mbi 8.5 milionë euro. Këto fonde janë përqendruar në ndërtimin dhe rikonstruksionin e stadiumeve, krijimin e fushave të reja, përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese, si dhe në ndërhyrje të rëndësishme infrastrukturore në kuadër të organizimit të Kampionatit Europian UEFA U-17.
Nga kjo shumë, mbi 6.2 milionë euro janë investuar drejtpërdrejt nga FSHF, ndërsa pjesa tjetër në bashkëpunim me partneret tane. Pikërisht kjo qasje ka dyfishuar ndikimin e investimeve tona dhe ka sjelle ndryshime konkrete e te rendesishme.
Në të njëjtën frymë, kemi ndërmarrë investime me ndikim strategjik dhe teknologjik, si qendërzimi i sistemit VAR, FSHF TV, përmirësimet në stadiumin “Air Albania”, duke e pozicionuar Shqipërinë në të njëjtin nivel teknologjik me shumë federata europiane të avancuara.
Projekti i mirëmbajtjes së fushave sportive, ka përfshirë pajisjen e klubeve me makineri të posaçme, materiale teknike dhe trajnime për stafin, per te rritur standardin e mirëmbajtjes në nivel kombëtar.
Tani është momenti që investimet të kthehen në jetë të përditshme. Infrastruktura sportive nuk mjafton të ndërtohet por ajo duhet të mirëmbahet, të funksionojë dhe të shërbejë..! Klubet dhe bashkitë duhet të marrin përgjegjësinë e tyre për ta mbajtur këtë zhvillim gjallë. Vetëm përmes përkushtimit të përbashkët, investimi sportiv shndërrohet në politikë të qëndrueshme zhvillimi.
Trupat e drejtësisë sportive “Komisioni i Disiplinës dhe Etikës”, si dhe “Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve” – kanë garantuar dhe do të vijojnë të garantojnë një ambient të drejtë dhe të besueshëm për të gjitha palët, duke siguruar zbatimin rigoroz të rregullave.
Për këtë edicion, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka trajtuar 1,413 çështje,
> DHZKM ka lëshuar 22 vendime në lidhje me mosmarrëveshjet midis klubeve dhe lojtarëve, duke ofruar një mekanizëm të shpejtë dhe të paanshëm zgjidhjeje,
> Komisioni i Kompensimit për Trajnim ka miratuar 15 vendime, duke rritur efikasitetin në kompensimin e klubeve për formimin e lojtarëve.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm mbetet ndikimi përmes lojës në përmirësimin e stabilitetit të jetës dhe të shoqërisë. Kemi organizuar një sërë eventesh komunitare si “Tetori Rozë”, Kupa Diplomatike, aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, si dhe ndeshje sensibilizuese në bashkëpunim me organizata si “Autizmi Flet”, UNHCR, UN Women, Caritas Albania.
Janë zhvilluar gjithashtu kampionate për fëmijët me aftësi ndryshe dhe seminare mbi të drejtat e njeriut, anti-racizmin dhe fuqizimin e grave. Gjithashtu, kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me UNICEF in dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke forcuar më tej qasjen gjithëpërfshirëse të FSHF-së në të gjitha nivelet e futbollit.
Në fushën e qëndrueshmërisë mjedisore, kemi investuar në instalimin e paneleve fotovoltaike në Shtëpinë e Futbollit dhe në stadiumin “Air Albania”, duke prodhuar energji elektrike, duke ccuar drejt zeros kostot e energjisë dhe ka reduktuar 134 ton Dioksid Karboni – ekuivalente me mbjelljen e 7,353 pemëve.
Ky përkushtim u vlerësua gjerësisht nga UEFA dhe përfaqësues të 55 federatave evropiane , ku Shqipëria u cilësua si një shembull pozitiv në Europë për qasjen e saj progresive ndaj çështjeve sociale dhe mjedisore.
Kemi konsoliduar rrjetin e vullnetarëve dhe programet e angazhimit rinor. E theksoj me krenari se jemi një nga institucionet e rralla në Shqipëri që mbështetet në një rrjet të strukturuar vullnetarësh. Gjatë kësaj periudhe janë aktivizuar 90 vullnetarë në tre ndeshje të Kombëtares A, si dhe në organizimin e Kampionatit Europian U-17.
Gjithashtu, kemi zhvilluar 45 programe internship-i duke krijuar mundësi reale për të rinjtë që të njohin nga afër strukturat e futbollit dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale.
Të nderuar anetare,
Në muajt dhe vitet në vijim na presin sfida të mëdha dhe objektiva te guximshem.
Me ekipet kombëtare:
Do të vijojmë të ëndërrojmë për një kualifikim historik në Kupën e Botës – nëse jo në vitin 2026, atëherë në 2030
Do të synojmë kualifikimin në Kampionatin Europian 2028.
Do të synojmë kalimin e grupit në EURO 2027 për ekipin U-21.
Do të synojmë kualifikimin në “Elite Round” me ekipet U-17 dhe U-19
Do të punojmë me ekipin A të vajzave për qëndrimin në Ligën B.
Rritja e bazës së futbollistëve të rinj dhe përfshirja sa më e gjerë e fëmijëve në sistemin tone mbetet një nga prioritetet kryesore.
Mbetemi të angazhuar për të kontribuar maksimalisht në përmirësimin e sistemit ligjor që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm të sportit, përfshirë edhe ligjin për sponsorizimet.
Do të vijojmë me investime në infrastrukturë, duke shfrytëzuar maksimalisht fondet e brendshme, programet ndërkombëtare të FIFA-s dhe UEFA-s, si dhe partneritetet me klubet, bashkitë, sektorin privat dhe qeverinë.
Aktualisht janë në proces ose në fazë planifikimi investime konkrete në:
Fusha stërvitore në Krujë, Gjirokastër, Prrenjas, Librazhd dhe Durrës (Katundi i Ri),
Stadiumet në Kavajë, Vorë, Përmet dhe Gramsh,
Stadiumet “Selman Stërmasi”, “Niko Dovana”, Korçë dhe Vlorë, të cilat po zhvillohen përmes partneriteteve private,
Hoteli në ambientet e Shtëpisë së Futbollit,
Vijon projekti “100 fushat”
Do të ndërtojmë një model modern dhe transparent përmes dixhitalizimit të proceseve, nëpërmjet platformave “Federata Ime” dhe COMET, portalit online për edukimin e trajnerëve dhe specialistëve, si dhe përmes “Pitch Mapping” të UEFA-s, që do të mundësojë analizimin e infrastrukturës ekzistuese në mënyrë të standardizuar.
Do të rrisim me 30% të ardhurat nga komercializimi dhe në vitin 2026, të shpërndajmë 3 milionë euro për klubet e Kategorisë Superiore dhe të Parë, si mbështetje direkte financiare për përmirësimin e funksionimit të tyre.
Organizimi i UEFA EURO U-21 në vitin 2027 përbën një tjetër moment historik për Shqipërinë – një mundësi për të treguar se dimë të mikpresim dhe të organizojmë evente të mëdha. Që bëhen të mëdha, vetëm nëse bashkëpunojmë bashkë.
FSHF është e vendosur të çojë përpara zhvillimin e futbollit shqiptar me përkushtim, integritet dhe vizion afatgjatë. Por çdo strategji, çdo projekt, çdo ambicie kërkon më shumë sesa ide dhe plane. Kërkon vullnet. Kërkon guxim për të marrë vendime dhe përgjegjësi për t’i çuar deri në fund.
Ne nuk flasim për progress. Por e udhëheqim atë! Dhe kjo nis këtu, në Asamble, të gjithë bashkë, si gjithmonë përkrah njëri-tjetrit, pa dyshim edhe duke kritikuar kur është rasti, por gjithmonë me synimin për të ecur përpara.
Futbolli nuk është pronë e askujt, por përgjegjësi e të gjithëve! Ai kërkon besim të ndërsjellë, bashkëpunim konkret dhe angazhim të përbashkët për ta bërë më të fortë, më të drejtë, më konkurrues, më edukues dhe më gjithëpërfshirës.
Ju, të dashur anëtarë të FSHF-së, nuk jeni thjesht dëshmitarë të këtij rrugëtimi – ju jeni bashkautorët e tij!
Ajo që ndërtojmë sot do të ndikojë drejtpërdrejt tek e nesërmja e futbollit shqiptar. Duke ju falënderuar nga zemra për besimin, ju uroj punime sa më të mbara në këtë Asamble.