
Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, ndaj Serbisë dhe Letonisë. Trajneri Sylvinho ka bërë publike listën me 27 lojtarët e ftuar për këto dy përballje të rëndësishme.
Ajo që bie në sy, është ftesa për portierin kampion të Egnatias, Mario Dajsinanin. Paraqitjet e këtij të fundit me kampionët e Superiores, i “mbushën mendjen” Sylvinhos, që ta bënte pjesë të ekipit për duelet e muajit qershor.
Kjo histori, përngjan paksa me atë të Alen Sherrit. Edhe portieri, që sot luan me Cagliarin në Serie A, ftesën në Kombëtare e mori pikërisht falë paraqitjeve të tij me skuadrën e Egnatias në Superiore.
Kjo tregon, se ekipi rrogozhinas është kthyer në një “trampolinë” të vërtetë për portierët. Në dy sezonet e fundit, Egnatia i ka dhuruar Kombëtares dy gardianë që në një të ardhme të afërt, pritet t’i bëjnë shumë punë.