
Pas fitores historike ndaj Serbisë me shifrat 1-0 tashmë është radha për të luajtur një tjetër ndeshje. Jo të së njëjtës rëndësi si ajo e të shtunës, por që vlen shumë për Shqipërinë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.
Ndaj Jordanisë, kuqezinjtë do të luajnë në “Air Albania”, me ekipet që do të zbresin në fushë duke nisur që nga ora 19:00. Kjo është hera e dytë që këto dy ekipe do të vihen përballë njëra-tjetrës, dhe njëjti si herën e parë edhe në duelin e ditës së sotme do të luajnë miqësore mes tyre.
Kur na ndajnë vetëm pak orë nga kjo sfidë, kompanitë e basteve shohin dukshëm favorit ekipin e Sylvinhos për të fituar. Fitorja e kuqezinjve vlerësohet me 1.60, ndërsa fitorja e mundshme e Jordanisë ka kuotën e 5.75. Nga ana tjetër barazimi vlerësohet me 3.50.
