
Nesër, Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë të madhe në kryeqytet, ku priten të mblidhen qytetarë nga e gjithë Shqipëria. Ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë Sektori i Garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka zgjedhur të vijojë aktivitetin sportiv sipas axhendës së përcaktuar javë më parë.
Kësisoj, në Abissnet Superiore Kukësi do të përballet me Kastriotin, ndërsa Laçi pret Egnatian. Nga ana tjetër, në Kategorinë e Parë, Korabi do të luajë me Flamurtarin, Lushnja kundër Tomorit, Oriku përplaset me Luzin, ndërsa Tërbuni me Burrelin.
Edhe pse shumë rrugë do të jenë të bllokuara apo trafiku do të jetë i rënduar për shkak të qytetarëve që do të zgjedhin protestën para futbollit, këtë herë sporti është ndarë plotësisht nga politika.
Ashtu siç UEFA dhe FIFA lobojnë në çdo kohë që futbolli të jetë larg partive politike, edhe FSHF-ja është në një linjë me to duke vijuar aktivitetin sportiv. Protesta e paralajmëruar do të mbahet në orën 12:00, ndërsa ndeshjet do të startojnë prej orës 13:00.