
Nga Edi Oga për newsbomb.al
Na rekomanduan, gati na urdhëruan që në këtë kohë pandemie, të mos merremi me politikë. Na thanë se duhet të bashkohemi rreth qeverisë dhe të mos i bëjmë asaj opozitë, që ajo të përqendrohet në luftën kundër coronavirusit.
Ne u bindëm. Qeveria punoi pothuaj e pashqetësuar dhe "lufta" duket e fituar.
Qytetarët nuk u morën me politikë, por politikanët u morën që ç'ke me atë punë, sepse ata vetëm në varr nuk do të merren me politikë.
Ajo që ndodhi me ligjet e fundit që presidenti lejoi të votoheshin në parlamentin më të turpshëm në kohë dhe në hapësirë, është ndoshta ngjarja më e rëndësishme në këto tridhjetë vjet hallakatje të shqiptarëve me shpresën për demokraci.
Për fat të keq, kjo ngjarje e rëndë, kaloi si pa u ndjerë.
Presidenti, si një lojtar që rrezikon që pas pak javësh të shndërrohet si një lojtar futbolli me parametër zero, lidhi kontratë me "klubin" e tij të ri.
Presidenti, i cili mbarsi një fushatë opozitare, kuptoi se ajo lindi e vdekur. Faji ishte i një fuqie madhore, i coronavirusit, i cili nisi dhe po përfundon një fushatë botëpërfshirëse. Kjo fushtë, mundimin e tij për të krijuar një klub konkurues, e fshiu si lecka pluhurin mbi tryezë. "Fushata" e coronavirusit dërgon ujë vetëm tek mulliri i qeverisë. Presidenti, duke vlerësuar edhe sondazhet, kuptoi tre gjëra:
- Personalisht, figura e tij ra në parametra jodomethënës.
- Partia është në nivelet më të ulëta historike të popullaritetit
- Pas shkarkimit eventual, e ardhmja mund t'i sjellë dhimbje koke të papara.
Ashtu si një lojtar i zgjuar futbolli në skadencë të kontratës, ai iu vetofrua "klubit" më të fuqishëm për ta blerë tani, kur kartoni i tij ka akoma njëfarë vlere. Përpjekjet për t'u shitur shtrenjt në një klub ku mund të luante si sulmues kryesor, (lexo opozita aktuale), dështuan. Ky klub është në kufijtë e mbijetesës. Manaxherët dhe lojtarët e tij, po luajnë shumë dobët dhe tifozët e kanë humbur besimin. Kujtimet për trofetë e fituar shumë vite më parë, nuk mjaftojnë për të investuar besim.
Qeveria, e cila çdo ditë e më tepër shëndërrohet një "Real Madrid" i epokës së galaktikëve, e blen me shumë dëshirë një lojtar të tillë dhe e ul në stol. Mjafton që ai të mos luajë me skuadrën kundërshtare. Mesa duket deal-i është bërë. Lojtari më i rrezikshëm i skuadrës kundërshtare pranoi ofertën e skuadrës kundërshtare dhe deri sa të lërë futbollin (lexo politikën) do kënaqet me rrogën dhe bonuset e skuadrës fituese, megjithëse do të ngrohë stolin.
Çfarë do të thotë kjo?
Në futboll kjo do të thotë dominim i një skuadre në të gjitha ligat për shumë vite, ndërsa në jetën reale do të thotë prelud i rikthimit në monizëm.
Ky ishte një paralelizëm dhe paralelizmat çalojnë. Ato që nuk çalojnë kurrë, janë mësimet e historisë. Sa më i gjatë gjumi, aq më i vështirë zgjimi!
Është koha për t'u zgjuar dhe për të larë në fillim sytë, pastaj duart, për njëzetë sekonda!