Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OPINION

SPECIALE/ Botërori në “repertorin” e 104 ndeshjeve: Çfarë na mësoi turneu që kurorëzoi Spanjën kampione?

Shkruar nga NEWSPORT
SPECIALE/ Botërori në “repertorin” e 104 ndeshjeve:
Spanja, kampionja e Botës

Nga Ermal Spahiu

Kupa e Botës i dha verdiktet e fundit në finalen mes Spanjës dhe Argjentinës, sfidë kjo që shkoi përtej kohës së rregullt e ku fituesi u përcaktua vetëm pas 120 minutave lojë. Ferran Torres erdhi nga stoli për t’i dhënë iberikëve yllin e dytë falë golit “të rëndë” që ngriti peshë tifozët spanjollë në stadiumin “MetLife” të New York-ut.

Një fund i lumtur për Spanjën e yjeve dhe i hidhur në anën tjetër për Argjentinën e Messit me shokë. “Mbretëresha” e Botës u vendos, sikurse edhe “kapaku” një turneu që na mbajti të mbërthyer që prej ditës së parë kur nisi me emocionet e ndeshjes hapëse Meksikë - Afrikë e Jugut. Një kampionat sfidues, plot ritëm, si rrallëherë i zhvilluar në tri shtete të ndryshme dhe në orare që “detyruan” në njëfarë mënyre çdo tifoz që të sakrifikojë edhe orët e gjumit.

Ky Botëror i pati të giitha, në “dritën” e 104 ndeshjeve. Rekorde që u thyen, çudira, risi, surpriza, ikonat e fushës që mbyllën një kapitull me lotë në sy dhe një brez i ri që po “çel” një tjetër perspektivë. Mirëpo, me të drejtë, pas mbarimit të këtij turneu, lind edhe pyetja: Çfarë na mësoi ky Botëror dhe si u ndeshën pritshmëritë me realitetin në vija të përgjithshme?

- SURPRIZAT

Për të katërtin turne radhazi, mungoi Italia. “Azzurrët” u eliminuan që në “playoff” nga Bosnja duke e çuar në 12 vite mungesën në kompeticionin më të madh të futbollit. Duhet thënë se zhgënjimet ishin një “rrugë e shtruar” edhe për skuadra të tjera nga të cilat pritej më shumë. Turqia e mbylli që në fazën e grupeve, ndërsa Holanda, Gjermania dhe Brazili u larguan shumë më herët.

KEPI I GJELBËR, NJË DEBUTUES TURNEU QË DO TA KISHIN "ZILI"

SPECIALE/ Botërori në “repertorin” e 104 ndeshjeve:
 

Një kombëtare debutuese që të vetmin sukses e mbështeti në pjesëmarrjen e parë historike në Botëror. Por, në fushë u njohëm me një skuadër të guximshme që di t’u marrë pikë të mëdhave e t’u shkaktojë “djersë të ftohta”. E nisën me Spanjën që sot e kësaj dite gëzon statusin e kampiones dhe e mbyllën me Argjentinën, një tjetër finaliste e turneut. Rastësi e bukur!

MEMET DHE PROTAGONISTËT

A mund të vlejë një Botëror, nëse nuk bëhemi dëshmitar i momenteve pikante? Padyshim që jo! S’mund t’i shpëtosh viralitetit në rrjetet sociale dhe këtë e bënë më së miri protagonistët në fushë. U nis me arbitrin e ndeshjes hapëse Meksikë - Afrikë e Jugut. Fjala është për brazilian Wilton Sampaio dhe konfuzioni që krijoi me anglishten e tij.

Algoritmi nuk njeh kufij dhe në këtë “thes” sarkazmash përfshihen Erling Haaland, “përplasja” e Messit me Jude Bellingham, shishja e ujit e portierit të Anglisë, Jordan Pickford me gjuajtësit e penalltive, e shumë të tjerë. Ky Botëror theu rekord edhe në këtë aspekt, s’mund të ndodhte ndryshe.

RREGULLI I RI (LIGJI PRESTIANNI)

SPECIALE/ Botërori në “repertorin” e 104 ndeshjeve:
 

Plot 2 kartonë të kuq u dhanë në turne për shkak të mbulimit të gojës në fushë. E pësuan Miguel Amorim i Paraguait dhe Piero Hincapie i Ekuadorit. Të "frymëzuar" në njëfarë mënyre nga incidenti i famshëm në ndeshjen e Champions League mes Benficës dhe Real Madrid në "përplasjen" Gianluca Prestianni - Vinicius Junior, FIFA ndërmorri hapin për ta zbatuar edhe në këtë Kupë Bote. 

MBYLLET NJË EPOKË PËR T’U HAPUR NJË TJETËR

Critiano Ronaldo, Leo Messi, Neymar, Luka Modric, Guillermo Ochoa. Sa shumë legjenda që i dhanë këtij sporti kujtime të pashlyera, e në veçanti Kupës së Botës. I fundit që përjetoi zhgënjimin ishte pikërisht sulmuesi argjentinas që u mposht në finale, duke u privuar nga trofeu i dytë.

SPECIALE/ Botërori në “repertorin” e 104 ndeshjeve:
 

Të njëjtin fat patën më herët edhe CR7, “Ney” me rikthimin e tij te Brazili, portieri ikonë i Meksikës si dhe “veterani” i Kroacisë. Një cikël i mbyllur që i hap rrugën një tjetër epokeje të artë si Lamine Yamal, Kylian Mbappe, Erling Haaland, Jamal Musiala e shumë të tjerë.

“RRUFE” LARGIMESH NË PANKINË

Plot 17 trajnerë që janë dorëhequr ose shkarkuar nga kombëtaret e tyre. Një rekord më vete, pasi në Botërorin e 2022-shit u larguan 11 të tillë, 8-të në 2014-të dhe 9-të në 2006-tën.

FITIMET

15 miliardë euro është shuma e fitimeve që ka gjeneruar FIFA, një bilanc fantastik i shtrirë në të gjitha sektoret e mundshme. Padyshim, kur organizon një event të madh të globit si Botërori, të tilla shifra janë të pritshme, por këtë herë, ky i mbajtur në tri shtete të ndryshme, theu çdo parashikim. Në fund, ky Botëror la pas shumë më tepër sesa thjesht një kampione të re.

Poll

Lexo gjithashtu