
Skuadra e Tiranës ka mbërritur pasditen e sotme në Zllatibor të Serbisë. Nëpërmjet një postimi në facebook, klubi kryeqytetas bën me dije që bashkë me skuadrën ka mbërritur Klodian Gjini i cili do të provohet, e më pas do të jetë Ilir Daja ai që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me të ardhmen e tij te klubi kryeqytetas.
"Skuadra ka mbërritur ne Zllatibor për t'u akomoduar në hotel "Iris". Bardheblutë do të pushojnë sot për të nisur nesër përgatitjet intensive. Me skuadrën është bashkuar për t'u testuar mesfushori Klodian Gjino. Futbollisti 22-vjeçar ka qenë pjesë e disa skuadrave në Greqi si dhe pjesë e kombetarës së 21-vjeçarëve kuqezi", shkruhej në njoftimin zyrtar të klubit.
Faza përgatitore do të zgjasë dy javë dhe më pas bardheblutë priten t'i drejtohen sërish kryeqytetit për të vijuar përgatitjet në Tiranë për sezonin 2016-2017 që starton me 5 shtator.
[gallery columns="1" size="full" ids="17725"]