
Albion Marku është një nga lojtarët që luan më me zemër te Partizani. Djaloshi i krahut të djathtë të të kuqve, ia ka ka dalë të bëjë mirë në pjesën e parë të sezonit të parë me këtë fanellë. Në një intervistë ekskluzive për Newsport.al, ai folur për tema të ndryshme. Objektivat e ekipit apo synimet personale, tifozët, derbi i humbur, e ardhmja apo edhe dashuria për fanellën ishin disa nga çështjet e përmendura. Marku shprehet se pavarësisht nisjes së keqe të sezonit, skuadra mund të kthehet në “shinat” e duhura dhe të arrijë atë të cilën është kërkuar në fillim të edicion. 21 vjeçari nuk lë pa përmendur ëndrrën për të fituar trofe.
1.Partizani e ka nisur jo mirë sezonin. Fundi i vitit solli shumë ndryshime te ekipi kryeqytetas dhe renditja nuk është ajo që pritej. Mendoni se viti i ri futbollistik do sjellë kthesën?
Nuk kemi marrë rezultatet që prisnim. Ne kemi vlerësuar çdo ndeshje dhe kemi bërë gjithçka për të fituar. Kam shpresë se do bëjmë më mirë në pjesën tjetër të sezonit.
2. Ky është sezoni i parë i joti me fanellën e kësaj skuadre. Si ndiheni?
Për mua është nder që vesh këtë fanellë që është me plot histori. Ndihem shumë mirë këtu. Të gjithë më kanë mbështetur e motivuar në çdo drejtim.
3. Fillimisht Partizani kishte objektiv titullin por më pas u ulën pretendimet. Duke ditur vlerat e lojtarëve, deri ku mund të shkojë ky grup këtë sezon?
Partizani do synojë të fitojë gjithçka të mundshme. Kjo është në ADN-në e Klubit.
4. Derbi ndaj Tiranës u humb në minutën e fundit, duke lënë kështu një shije të hidhur në anën e kuqe të kryeqytetit. Çfarë mendon për atë ndeshje?
Jam me fat që kam përjetuar atë ndeshje. Kjo është ndeshja më e bukur që ka ky kampionat. Kryeqyteti do jetë i kuq në 2 ndeshjet e radhës.
5. Na flit për objektivat personal dhe të ardhmen.
Pavarësisht se e di situatën ku ndodhemi, pretendoj që të shkojmë sa më larg të jetë e mundur. Synoj trofe me Partizanin.Do bëj të pamundurën dhe do lë shpirtin në fushë. E ardhmja ime do vijë vetëm nëse luaj ndeshje të mëdha këtu ku jam.
6.Jepni një mesazh për fansat e kuq.
Janë më të mirët dhe meritojnë shumë pasi janë ato që këndojnë për ne në 90 minuta. Ata na japin kurajo si në fitore ashtu edhe në humbje. Dua t’i shikoj ata të lumtur e dua që t’iu dhurojmë sa më shumë fitore. JETMIR SYLAJ