
Në Vlorë, dita e sotme nisi me akuza dhe kundër akuza ndërmjet ish presidentit të Flamurtarit, Shpëtim Gjika dhe administratorit aktual Sinan Idrizi. Faqja zyrtare e klubi vlonjat doli me një reagim për shtyp teksa tregonte kontratën e ish trajnerit Gjoka që ishte nënshkruar në kohën kur Gjika ishte president. Administratori Idrizi thekson që këtë kontratë nuk e njeh, por përveç shifrave që ndryshojnë sa herë flitet, brenda në këtë akt ligjor ka edhe një pjesë qesharake.
“Për çdo paqartësi apo kontradiktë që mund të lindë në lidhje me përmbushjen ose interpretimin e kësaj kontrate, të dyja palët mund t'i drejtohen, sipas dëshirës së tyre organeve të gjyqësorit ose Komitetit Juridiksional dhe Pajtues të Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll”, shkruhet aty.
Në këtë mënyrë palët duhet të ankohen në Spanjë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, sepse ashtu shkruhet në kontratë. Sipas asaj që shkruhet Gjoka duhej të përfitonte 2500 euro në muaj, por sa nga mësohet, Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Vlorë ka treguar që Gjoka ka paguar kontributet e sigurimeve për një pagë tjetër, më të ulët se ajo që ka nënshkruar me presidentin Gjika. Vetë ish-presidenti i Flamurtarit është shprehur:
“Me kontributin tim dhe dashamirësinë e Presidentit të Federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, Komisioni i Disiplinës nuk do të mblidhet ditën e enjte, siç është programi i tij por, pas 2 javësh. Deri atëherë, do të gjejmë një zgjidhje kontratës së trajnerit Gjoka”, përfundon Gjika.
[gallery columns="1" size="full" ids="54737,54738,54739"]