Shefja e klubit sportiv Tirana në lojërat e sallave të mbyllura, Debora Keci kërkon më shumë vëmendje për basketbollin dhe volejbollin, teksa ambicia e saj është që të pasqyrojë gjithçka që ndodh me skuadrën bardheblu në parket. Në një intervistë për Newsport.al, ish sportistja që s'ë fundmi ka marrë detyrën e rëndësishme te Tirana, tregon se ekipi është gjithmonë pretendent.
Keci përmend emrat e lojtarëve që do të mbajnë peshën e sezonit në dy disiplinat, me basketbollin dhe volejbollin që kanë marrë "ok" nga Qeveria, duke nisur sezonin e rregullt.
Prej Covid-19 Pallatet e Sportit qëndruan kyçur thuajse 1 vit. Shefja e KS Tiranës për lojërat në sallat e mbyllura tregon ambieciet e saj dhe punën konkrete për të bërë sa më profesionalist skuadrat që drejton, teksa shpalos edhe planin e saj për të thithur më shumë spektatorë në shkallët e impianteve, pse jo edhe për të konkuruar futbollin.
- Si ka qenë rinisja e sezonit pas kaq muajsh mungesë?
Rinisja e sezonit ka qenë diçka që ne e kemi pritur shumë, por sigurisht në këto kohë ka dyfish përgjegjësi.

- Skuadrat kanë qenë gati fizikisht për këtë rinisje të garës dhe si do ndikojë mungesa kaq e gjatë e aktivitetit?
Sigurisht në klubin tonë stërvitja ka qenë e pandërprerë, brenda kufizimeve. Mungesa kaq e gjatë ka patur një efekt jo të mirë, por jemi besimplotë tek sportistët dhe stafi ynë.
- Me rritjen e numrit të të infektuarve, i druhet sporti i sallës një tjetër bllokimi nga Qeveria?
Sigurisht që po, pasi logjika të çon të mendosh për ruajtjen e jetës, këto masa edhe mund të rikthehen, por mbetet për t'u parë pasi sporti shikohet si diçka që ndihmon në anën psikologjike dhe fizike.

- Si paraqitet gjendja e skuadrave të Tiranës në volejboll dhe basketboll për këtë sezon, ka pasur lëvizje lojtarësh?
Gjendja e ekipeve është e mirë, bërthamat e ekipeve mbeten të paprekura, ku vazhdohet t'i jepet rëndësi produktit vendas, lëvizje në drejtim largimesh nuk ka patur, por sigurisht presim që afrime të ketë.
- Çfarë pritshmërie kanë drejtuesit dhe ju si shefe e klubit nga ky sezon?
Pritshmëritë janë të njëjta për një klub si KS Tirana, gjithmonë te larta. Personalisht si shefe klubi kam ndërmarrë një sërë iniciativash për të ndihmuar ambjetin për t'u bërë më profesional.

- Cilët janë disa nga lojtarët dhe lojtaret që spikasin në klub, si në volejboll dhe basketboll?
Fuqia e klubit mbetet gjithmonë ekipi, por sigurisht lojtarë si Gerti Shima, Red Vogli, Eldi Hysa, Klea Verri ne basket apo Genta Lasku, Gjokuta, Kole, vëllezrit Martiro, Cali, Zeqiraj në volejboll por sigurisht dhe shumë emra të tjerë janë asete të rëndësishëm në ekipet tona.
- Në krahasim me futbollin, shkallët e pallateve të sportit janë bosh, pse ndodh kjo dhe si mund të ndryshojë?
Sigurisht shikueshmërinë më të madhe e merr futbolli për shkak se është sport i parë, ndersa volejbolli dhe basketbolli më pak për shkak edhe të vëmendjes së ulët që marrin nga mediat duhet thënë, ndryshimi do jete gradual ku ne do kerkojmë që populli bardheblu ta shikojë dhe të përfaqësohet me ekipet e sallave tona.

- Politikat e sportit të sallës për më shumë vëmendje dhe rezultate dhe si mund të "thithet" publiku?
Sporti i sallës dita-ditës po rritet dhe shumë shpejt falë jush do marri një hapësirë më të madhe në media, kërkojmë t'i japim një impuls pozitiv këtij sporti dhe sigurisht duke arritur më shumë rezultate dhe duke afruar publikun edhe me informacion që deri diku i ka munguar.
Tanimë, çdo ndeshje apo lajm rreth KS Tirana do jetë i pasqyruar në mediat sociale, websiten e klubit i cili është rinovuar së fundmi, si dhe postime apo dhe promocione të ndryshme, gjë që do e "ngrohë" publikun për t'iu rikthyer edhe njëherë shkallëve të Pallatit të Sportit. /Stavro Anesti Dhimitri/