Spanja dhe Argjentina do të zbresin mbrëmjen e sotme në fushën e lojës për finalen e madhe të Botërorit 2026. Sfida e përcaktuar për t’u zhvilluar prej orës 21:00 në stadiumin “MetLife” të New York-ut do të garantojë emocione të shumta për të gjithë futbolldashësit, në veçanti dy tifozeritë e skuadrave.
Duke marrë në konsideratë se asnjëra prej tyre, së paku në letër, nuk shfaqet me statusin e favoritit, ashtu siç e tregojnë edhe statistikat, dihet që vetëm rrugëtimi i njërës do të kompletohet me ngritjen lart të trofeut.
Mirëpo, një “fakt” interesant zbulon një të përbashkët mes dy finalistëve të Botërorit dhe fjala është për Kepin e Gjelbër, kombëtarja debutuese e turneut që u kthye në “makth” për iberikët dhe amerikano-latinët. Sa i përket kohës së rregullt në harkun e 90 minuta, si Spanja ashtu edhe Argjentina vuajtën jo pak ndaj këtij kundërshtari.
Skuadra e Luis de la Fuentes u ndal në ndeshjen hapëse në barazim pa gola, ndërsa ajo e Lionel Scalonit “u detyrua” të djersiste më shumë për të siguruar kalimin përtej shtesave.
Sigurisht, dy finalistët do tentojnë të përshkruajnë shumë kilometra në fushë për të fituar trofeun, ndërsa Kepi i Gjelbër do kujtohet si surpriza e njëkohësisht “tmerri” i skuadrave.
