Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin nuk mori pjesë në finalen e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, në shenjë proteste ndaj mënyrës se si FIFA trajtoi çështjen e pezullimit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun.
Sipas raportimit të The Athletic, kreu i futbollit europian kishte planifikuar të ishte i pranishëm në finalen e madhe, pasi kishte marrë pjesë edhe në ndeshjen hapëse të turneut në Mexico City më 11 qershor. Megjithatë, ai ndryshoi vendimin pasi komisioni disiplinor i FIFA-s vendosi të anulonte pezullimin me një ndeshje të Balogun.
Sulmuesi i Shteteve të Bashkuara ishte ndëshkuar me karton të kuq në sfidën e 1/16-ve ndaj Bosnje-Hercegovinës, por FIFA vendosi ta lejojë të luajë më tej, një vendim që sipas raportimeve shkaktoi pakënaqësi të madhe te UEFA dhe vetë Çeferin.
Mungesa e presidentit të UEFA-s në finalen e Botërorit shihet si një sinjal i fortë i tensioneve të vazhdueshme mes dy institucioneve më të rëndësishme të futbollit botëror, të cilat prej kohësh kanë pasur mosmarrëveshje për çështje të ndryshme që lidhen me drejtimin e sportit.
