
Manchester United nuk ia doli të fitonte një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni. “Djajtë” u mposhtën në finalen e Europa League nga Tottenham, me këto të fundit që triumfuan 1-0.
Pas sfidës mjaft i zhgënjyer ishte Ruben Amorim, pasi United i tij mbylli një sezon të dështuar. Portugezi shprehet se skuadra e tij nuk luajti përfekt, por i duhet pak besim në këtë moment delikat.
Gjithashtu theksoi se nëse drejtuesit dhe klubi mendojnë se duhet ta largojnë, ai do të largohet menjëherë, por pavarësisht gjithçkaje është i bindur te aftësitë e tij dhe United do të ringrihet.
“Mendoj se jam gjithmonë shumë i sinqertë. Nuk luajtëm në mënyrë perfekte sot, por ishim më të mirë se kundërshtari. Në pjesën e dytë, provuam gjithçka me mbrojtësit qendrorë, me lojtarët në krah, procesi shkoi në zone.
Ka pasur disa ditë që kam thënë se ishim shumë të dobët, por mendoj se sot nuk ishte kjo ajo ditë. Megjithatë, nuk ishim perfektë dhe kemi shumë për të përmirësuar.
Në këtë moment, nuk jam këtu për të mbrojtur veten. Nuk është stili im. Nuk kam asgjë për t’u treguar tifozëve. Në këtë moment më duhet pak besim.
Unë jam gjithmonë i hapur. Nëse bordi dhe tifozët mendojnë se nuk jam personi i duhur, do të largohem ditën tjetër. Por nuk do të dorëzohem përsëri. Jam i sigurt në punën time. Siç e shihni, nuk do të ndryshoj asgjë në mënyrën se si i bëj gjërat”, ka përfunduar timonieri i “djajve”.