Vendimi i Gabriele Gravinës për t'u dorëhequr nga posti i presidentit të Federatës italiane të Futbollit, ka bërë që Serie A të njoftojë një mbledhje urgjente për të propozuar pasuesin e tij që do të udhëheqë edhe kampionatin italian drejt rikthimit në majën e futbollit botëror.
Siç shkruajnë dhe mediat në Itali, mësohet se klubet do të takohen më 13 prill për të kuptuar qartë filozofinë që duhet ndjekur për të sjellë ambicien e duhur dhe një projekt të qëndrueshëm sportiv për të ardhmen e futbollit italian.
Teksa zgjedhjet për president do të mbahen më 22 qershor, në skenë kanë dalë dhe kandidaturat që mund të bindin skuadrat pjesëmarrëse për ta emëruar në këtë pozicion të rëndësishëm.
Fjala është për ikonat e Italisë si Paolo Maldini dhe Alessandro Del Piero që kanë lënë gjurmë të thella dhe mund t'i jepnin Kombëtares dhe kampionatit një tjetër hov të madh. Nuk përjashtohen as alternativat e Demetrio Albertini dhe Giovanni Malagos.
