
Burreli zhvilloi ditën e sotme ndeshjen në kuadër të turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Të besuarit e Dorian Bubeqit fituan në shtëpi, përballë Valbonës.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Liri Ballabani”, koha e rregullt e sfidës përfundoi në barazimin 1-1. Golin për Valbonën e shënoi Mziu, ndërsa për të zotët e shtëpisë shënoi Muriel. Pas këtij barazimi 1-1, gjithçka u vendos nga “ruleta” e penalltive.
Aty më të saktë u treguan lojtarët e Burrelit, me Marjus Kolën i cili u bë hero i kësaj sfide duke kualifikuar ekipin e tij për më tej. 22-vjeçari shënoi penalltinë e fitores për të tijët, duke u treguar edhe njëherë protagonist për të tijët. Ndeshja përfundoi 4-3 për Burrelin dhe vëmendjen e mori përsëri ish-i i Kukësit, Marjus Kola.