
Shqipëria do të luajë sot kundër Moldavisë, ndeshje e vlefshme për kualifikueset EURO 2024. Kjo sfidë do të zhvillohet në stadiumin "Air Albania" dhe pritet me mjaft interes nga gjithë sportdashësit. Në të njëjtën linjë është edhe kurioziteti sa i përket formacionit që trajneri Sylvinho do të hedhë në fushë.
Ai deklaroi se e ka gati 11-shen titullare që do të luajë kundër moldavëve. Po ashtu u ndal edhe te Armando Sadiku për të cilin foli me superlativa për të. "Mund të shënojë gola të rëndësishëm. Është efikas dhe nuk gabon para porte. Mund të na shërbejë 20 apo 30 minuta. Kjo nuk ka rëndësi", tha ai në konferencën e djeshme duke lënë të nënkuptohet që elbasanasi mund të nisë nga stoli.
Ndeshja Shqipëri - Moldavi është programuar të startojë në orën 20:45. Stadiumi "Air Albania" me siguri do të jetë i tejmbushur me tifozët që kanë blerë biletat ditët më parë. Objektiv kryesor dhe i vetëm është fitorja. Në të kundërt ëndrra kualifikim në EURO 2024 që zhvillohet në Gjermani do të jetë mjaft e vështirë për t'u bërë realitet.