
Derbi mes Tiranës dhe Partizanit është në çdo rast kryeqendra e lajmeve në futbollin shqiptar. Përballja mes dy ekipeve legjendare shënohet në kalendar që nga shorti përpara sezonit. Dy rivalët historik do të përplasen këtë të premte në orën 19:00 në ‘Air Albania’, për të luajtur ndeshjen e javës së 23-të të Superiores.
Do të jetë një sfidë shumë e veçantë, sidomos për Orges Shehin. Trajneri u shkarkua nga Tirana në fazën e parë të këtij sezoni dhe bëri kalimin e bujshëm te rivalët e kuq. Pritet me interes ritakimi i tij me ish-kampin bardheblu.
Megjithtatë, aventura e re me ‘Demat’ nuk ka nisur në mënyrën më perfekte. Në 5 ndeshjet e para, Shehi numëron vetëm 1 fitore dhe 2 barazime dhe 2 humbje, e fundit në një tjetër derbi me Dinamon, duke marrë kështu vetëm 5 pikë nga 15 të mundshme, mesatarisht 1 për ndeshje.
Një mesatare e ulët për një skuadër kampione dhe ‘Trajnerin e Sezonit’. Nëse rikthehemi në fillim të kampionatit, Tirana shkarkoi durrsakun edhe pse kishte një rekord akoma më të mirë se kaq. Shehi në 6 javët e para kishte grumbulluar 3 fitore, 1 barazim dhe 2 humbjet e fundit rradhazi. Në total 10 pikë në 6 ndeshje, mesatarisht 1.4 pikë për 90 minuta.
Nëse bëjmë një panoramë të të dy aventurave, Shehi ka ende 2 ndeshje për të ‘përmirësuar’ mesataren e tij në krahasim me atë të kohës kur drejtonte bardheblutë këtë sezon.