Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

“Futbolli i plazhit çel sezonin amator”. Demneri: Synojmë organizimin e Europianit 6×6 në Shqipëri

Shkruar nga NEWSPORT
“Futbolli i plazhit çel sezonin amator”. Demneri:
Foto ilustruese

Futbolli amator do të nisë sezonin e ri me Kampionatin e Futbollit të Plazhit, që do të zhvillohet më 26–27 korrik në Golem. Në një intervistë për fshf.org, Drejtori i Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, u shpreh se ky aktivitet është kthyer tashmë në traditë dhe do të shërbejë si një nisje e sezonit të ri.

“Sezoni i ri në futbollin amator fillon me një traditë, duke parë edhe nga viti i kaluar, me futbollin e plazhit, që do të zhvillohet në Golem te Pishat e Buta. Do të jetë një nisje e futbollit amator, një nisje e sezonit të ri ku do të bëjmë një promovim të futbollit të plazhit, ku do të marrin pjesë 12 ekipe. Do të ketë një atmosferë shumë të bukur, ku do të mblidhen të gjithë për të festuar në dy ditë. Pretendojmë që ky kompeticion të vazhdojë të rritet, të zhvillohet edhe në Shkodër. Pra, pretendojmë që të vazhdojë edhe në pjesën e Velipojës në muajin gusht. Më pas, në sezonin që vjen synojmë që të zhvillohet edhe në zonën e Vlorës dhe në vazhdim të krijojmë një kampionat kombëtar të futbollit të plazhit, ku të kemi mundësi të marrim pjesë edhe në turne me ekipin tonë kombëtar”, – u shpreh Jurgen Demneri.

Gjatë intervistës, ai bëri të ditur se është në diskutime me “International Socca Federation” për organizimin e një turneu madhor ndërkombëtar 6×6 në Shqipëri, me pjesëmarrjen e 28 deri në 44 shtete.

“Një risi e madhe për futbollin amator është që jemi në diskutime për zhvillimin e një turneu madhor në bashkëpunim me “International Socca Federation”, futbolli 6×6. Jemi drejt konkretizimit të zhvillimit të një turneu madhor në Shqipëri. Ky është një lajm shumë i madh për futbollin amator, pasi na besohet organizimi i një turneu si Europiani ose Kampionati Botëror. Do të ketë një pjesëmarrje shumë të madhe prej 28 deri në 44 shtete, që do të mirëpriten në Shqipëri për të zhvilluar këtë turne. Kemi dorëzuar projektin për zhvillimin e këtij turneu, ku i gjithë Kampionati Europian ose Botëror, sipas diskutimeve që kemi, do të zhvillohet në “Shtëpinë e Futbollit”, – tha Jurgen Demneri, i cili konfirmoi gjithashtu se kampionatet tradicionale Sunday League dhe 5×5 janë në fazën përfundimtare të mbylljes së regjistrimeve. Gjithashtu, ai nënvizoi bashkëpunimin me klubin Vllaznia Futsal, për organizimin e turit paraeliminator Futsal Champions League, ndërsa në tetor nis sezoni i ri i Kampionatit të Futsallit.

“Sunday League dhe kampionati 5×5 pothuajse kanë mbyllur regjistrimet. Kemi 32 ekipe që do të marrin pjesë në sezonin e ri në Sunday League. Do të vazhdojmë me të njëjtën formulë që kemi pasur në sezonet e kaluara, por do të kemi një risi që do të jetë kanali FSHF TV, që do të jetë një mbështetje shumë herë më e madhe për futbollin amator duke transmetuar ndeshjet live, duke bërë intervista me lojtarët, apo një emision të dedikuar për futbollin amator. Pretendojmë që në futbollin 5×5 të ketë një regjistrim prej 200 ekipesh nga të gjitha zonat e Shqipërisë.

Në muajin gusht, FSHF në bashkëpunim me ekipin Vllaznia Futsal do të organizojnë turin paraeliminator të Futsal Champions League dhe më pas, në muajin tetor, do të vazhdojmë me sezonin e ri të Kampionatit të Futsallit”, – përfundoi Drejtori i Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga