
Humbja e Tiranës ndaj Teutës është tema kryesore në emisionin Skaner të Gerti Çarçanit. Specialistët e futbollit, Nevil Dede, Sulejman Starova, Ermal Tahiri dhe Ardi Behari janë pjesë e përhershme e panelit me opinionet e tyre për ndeshjet dhe në këtë sfidë, si rrallëherë, të gjithë bien në një mendje: Tirana humbi ndeshjen për 15 minuta dhe ekipi degradoi në pjesën e dytë.
Nevil Dede: Në futboll ka histori dhe dinamika në çdo ndeshje. Ndërtimi i aksionit të golit të parë për Teutën, durrsakët shënuan me tre pasime. Tirana e humbi ndeshjen në Durrës për 10-15 minuta.
Nuk mendoj se e interpretuan keq. Pjesa e parë foli për Tiranën. Ishte një Tiranë që e kishte më shumë topin në zotërim. Shënuan gol me Haxhiun, në mënyrë perfekte.
Për 15 minuta, Tirana humbi një ndeshje, që ishte një nga pikat më të rëndësishme të sezonit. Teuta reagoi më shpejt. Shehi duhet të jetë i mërzitur, nuk meritonte të humbte këtë ndeshje.
Sulejman Starova: Në Teuta-Tirana, ishte një pjesë e parë e luftuar. Teuta donte të fitonte. Kishin raste të dyja ekipet. Duke përjashtuar golin e Haxhiut, Tirana në pjesën e dytë ishte inekzistente. Humbën të gjitha duelet, nuk kishte një frymë grupi. Pyetja “Pse degradoi ekipi?” i drejtohet Shehit sepse ai e di më mirë, ne kemi detyrë vetëm ta konstatojmë këtë fakt.
Ermal Tahiri: Dy gabime në mbrojtje dhe Teuta shënoi, duke përmbysur rezultatin. Mbetën me 10 lojtarë dhe më pas ishte e vështirë.
Të dy qendërmbrojtësit të vendosur keq te Tirana në pësimin e golit të parë. Gabime edhe te goli i dytë. Problematika nuk është te kartonët, por shpërqendrimi i skuadrës në këtë mënyrë. Nuk ka lidhje Kupa fare me kampionatin. Është mungesë përqendrimi.