
"Kjo është një tjetër mënyrë që Tirana duhet të reagojë për trajnerin e saj, për t'i thënë Stop dhe për ta frenuar këtë imazh të cënuar dhe mbi të gjitha të paprovuar", kjo ishte deklarata e Gerti Çarçanit mbrëmë në emisionin që ai drejton, "Pressing". S'është hera e parë që në vendin tonë gjithmonë sulmohet më i miri, por në këtë rast ndodh ndryshe. Paneli i këtij emisioni ka qenë shesh breshërish për trajnerin nigerian që puntate pas puntate është kritikuar për punën e mirë që ka bërë.
18 ndeshje, askush si ai s'ka arritur të fitojë me ekipin bardheblu. Në këto kushte, asnjë trajner s'do të kishte "këllqe" të merrte drejtimin e Tiranës sepse të gjithë janë të vetdijshëm që suksesi i tij është i papërsëritshëm. Një fitues e gjen gjithnjë një mënyrë, e këtë bëri Egbo. S'tentoi të gjente alibira, po krijoi një frymë të mrekullueshme grupi. Ndërsa një dështak do ta gjente gjithmonë një justifikim.
Për t'i dhënë më shumë zë arritjes së jashtëzakonshme të Egbo-së, moderatori Çarçani e kishte ftuar kampionin për të plotësuar panelin e tij të radhës. Por, duke qenë se aty nuk mund të ndihej në një ambient miqësor, Egbo e kishte refuzuar. Fillimisht i etiketuar trajner portierësh, më tej duke zbehur punën e palodhur të tij duke ia taksuar gjitha meritat Ard Memës për krijimin e grupit, 47-vjeçari si "fjalëpak e punëshumë" zgjodhi dhe këtë herë të hiqtë dorë nga polemikat duke mos pranuar të jetë prezent përballë atyre që kanë hedhur "baltë" mbi punën e tij.
E në këto kushte, Çarçanit s'i mbetej gjë tjetër veçse ta sulmonte për një deklaratë të dhënë për "BBC Sport". Në fakt askush s'e ka lexuar siç duhet. Egbo ka thënë që në kohën kur ishte te Bylis, i kanë hedhur banane në shenjë racizmi. Kjo histori ka plot 7-8 vite, ndërsa sa i përket periudhës që ka kontribuar te bardheblutë, një gjë e tillë s'ka ndodhur.
Siç ndodh rëndomtë në Shqipëri, "qimja bëhet tra" dhe në shenjë hakmarrje për refuzimin e ftesës së tij, ai sulmohet, madje publikisht kërkohet dënimi i tij nga ana e drejtuesve.
Për çfarë duhet dënuar, pse tregon një eksperiencë të hidhur nga karriera e tij në Shqipëri? Egbo ka 20 vite në vendin tonë, karakteri i tij s'e lejon të jetojë apo të ecë me kthesa për t'iu shmangur pikërisht këtyre bërrylave që vijnë në momentin më të mirë, në kohën kur emri i tij padyshim është shkruar me të arta në historinë e klubit të Tiranës.
Nëse s'ka dasmorë s'ka dasmë. Nëse s'ka Egbo, s'ka Tiranë kampione me apo pa dëshirën e shumë gazetarëve shqiptarë. Në këtë rast vlen shprehja e famshme e Sigmund Freud që suksesi nuk ecën paralelisht me meritën: Amerika nuk e ka marrë emrin nga Kristofor Kolombi! /Neësport.al/