Ditën e sotme është mbyllur java e 23-të e “Abissnet Superiore”, ku janë luajtur edhe dy sfidat e fundit. Një javë mjaft interesante, me 5 sfida ku ka patur edhe surpriza. Në 5 ndeshjet e kësaj jave janë shënuar 9 gola.
Gjithçka nisi me Egnatia-Laçi, me kurbinasit që arritën të merrnin pikë në transfertën e vështirë rrogzhinase. Një pikë e rëndësishme që i mban në vendin e gjashtë në kuotën e 26 pikëve. Në krahun tjetër, Egnatia e pashqetësuar vazhdon të kryesojë kampionatin me 48 pikë.
Vllaznia mposhti Teutën me rezultatin 2-1, duke treguar super formën që ekipi shkodran po kalon. Një 3 pikësh që i dërgon në vendin e tretë në kuotën e 37 pikëve, po aq sa Partizani i vendit të dytë që u mposht nga Dinamo me rezultatin 2-1 në “Niko Dovana”.
Pas humbjes në Shkodër, Teuta mbetet në zonën e ftohtë, teksa renditet në vendin e 9-të me 21 pikë. Ndërsa Dinamo pas fitores të marrë në derbi përballë Partizanit shkon në vendin e pestë me 31 pikë, duke qenë një pretendent për “Final Four”.
Ndërkohë, ditën e sotme, Tirana zhgënjeu në “Air Albania” përballë Erzenit duke u kënaqur me 1 pikë. Sfida përballe shijakasve përfundoi në barazim 1-1. Pavarësisht pikës së marrë, Erzeni mbetet në zonën e ftohtë, në vendin e tetë me 23 pikë. Ndërsa Tirana rrezikon seriozisht pozitat në “Final Four”, duke ditur që Dinamo është vetëm 3 pikë larg, me një ndeshje më pak.
Kukësi në krahun tjetër vazhdon të zhytet në fundin e tabelës, ku sot mori humbjen e radhës përballë Skënderbeut. Sfida e zhvilluar në Korçë përfundoi me fitoren minimale 1-0 të vendasve, të cilët shkojnë në vendin e shtatë me 28 pikë, po aq sa Laçi i vendit të gjashtë. Në krahun tjetër Kukësi mbetet në fundin e tabelës së klasifikimit, me vetëm 19 pikë.