
Ergys Kaçe, mesfushori shtatshkurtër i kombëtares kuqezi së fundmi ka rinovuar kontratën me PAOK dhe do të huazohet te Victoria Plzen në Çeki. Në intervistën e tij të parë për situatat e ndodhura së fundmi, mesfushori kuqezi tregon të vërtetën pse ai ka bërë këtë zgjedhje.
Kaçe nuk po aktivizohej prej kohësh te PAOK-u për shkak të kontratës, të cilën duhet që ta rinovonte, pasi i përfundonte në qershorin e vitit të ardhshëm. Kështu, grekët ranë dakord me lojtarin duke bërë rinovimin deri në qershorin e vitit 2020, ndërsa do të luajë një vit te kampionët e Çekisë në formë huazimi.
"Unë jam i lumtur, kam hapur një kapitull të ri në karrierën time. Ndihem nervoz, por te Victoria Plzen treguan se më donin mua dhe se më kanë pritur. Është pak e çuditshme, sepse në Selanik kam familjen time, miqtë e mi, por unë dua të shkoj përpara. Gjatë dy ditëve të fundit kanë ndodhur gjëra, në fillim kam rinovuar kontratën dhe pastaj ramë dakord që të shkoj te Victoria", tha Kaçe.
Korçari ka qenë mesfushori më i mirë i skuadrës selanikase, i cili debutoi me këtë fanellë në sezonin 2010-2011, ndërsa luajti ndeshjen e parë me Shqipërinë në vitin 2013 në sfidën Zvicër - Shqipëri. Ai tashmë do të transferohet te kampionët e Çekisë, Victoria Plzen, ndërsa kjo skuadër ka bërë edhe njoftimin për arritjen e marrëveshjes me lojtarin.