Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

OPINION/ Voltanë, a s'po t'vjen marre?!

Shkruar nga NEWSPORT
OPINION/ Voltanë, a s'po t'vjen marre?!


Nga Retin TOKA

24 javë, 42 pikë, 2 më pak se vendi i parë, kjo është tabloja e kësaj Vllaznie që këtë sezon ka surprizuar dhe mrekulluar njëkohësisht të madh e të vogël që e duan futbollin në vend. Askush s'e kishte menduar që shkodranët do të ishin rivalë të denjë për të konkuruar mes kryesuesve, madje në 23 javë udhëhoqën kampionatin shqiptar duke u renditur në vendin e parë.

Personalisht, ky ekip i riformatuar këtë edicion futbollisitik më ka lënë shije të mirë. Duke ndjekur ditë pas dite zhvillimet sportive në vend, Vllaznia do të futej në garë jo si konkurente për titullin kampion. Një buxhet sa ½ e Partizanit, Kukësit, Tiranës apo edhe e Teutës, e nxirrte automatikisht jashtë loje për trofeun më të rëndësishëm në vend.

Megjithatë në Shkodër treguan se shifrat nuk kanë vend në sport, pasioni dhe grinta në fushën e blertë janë ato që vlejnë dhe të çojnë në piedestal. Në krye të skuadrës erdhi një i panjohur për sportdashësit shqiptar, por jo për ata europianë, Thomas Brdariç. Si trajner nuk kishte shumë eksperienca, por si lojtar kishte shëtitur kampionatet elitare.

E nisi punën duke qenë me "këmbë në tokë", duke mos u rrëmbyer nga euforia. Ai e dinte fare mirë se çfarë grupi ka në dispozicion, arriti t'i njihte lojtarët shumë shpejt dhe krijoi një skuadër që të kënaqte kur e shihje duke luajtur futboll. Komentet kanë qenë gjithmonë pozitive, kryesisht nga tifozët, pasi homologët e trajnerit Brdariç gjenin gjithmonë një defekt te ai. Normalisht, e njëjta histori ndodh me të huajt në vendin tonë...

"Ne do t'i marrim ndeshjet një nga një dhe afër fundit të sezonit, do të caktojmë edhe objektivin tonë", këto kanë qenë fjalët e gjermanit. Edhe pse qëndruan në krye për javë me radhë, ai asnjëherë s'u lëkund nga ato që kishte thënë. Madje shpesh i kërkohej nga gazetarët që të përmendej fjala titull, por atë se tha asnjëherë.

Dje, si për çudi, si "dhuratë" për kualifikimin në gjysmëfinale duke mposhtur Korabin me rezultatin 1-0, trajneri gjerman u njoh me gjobën prej 1.5 milionë lekësh (të vjetra). Drejtuesit me në krye Voltana Ademin kishin marrë këtë vendim me pretendimin se ai nuk i kishte motivuar si duhet lojtarët e tij. Madje trumbetohej se rrezikohej objektivi sezonal. 2 pikë larg vendit të parë, rival i denjë në dy kompeticionet duke qenë kandidat si në kampionat dhe në kupë.

Si të mos mjaftonte presioni i mediave, i tifozëve që nisën festën kur "peshku ishte ende në det", ambienti shkodran trazohet më shumë edhe nga vetë ata që nisën gjithçka në këtë sezon. "Kjo Vllazni po luan si Barcelona", "Kyt' ekip s'e ka pas naj herë Shkodra", ishin disa fraza tifozësh në javët e para të kampionatit. Ndoshta kishin të drejtë, por më shumë kishin futbollistët të cilët luanin pa kurrfarë presioni.

Në skuadër nuk ka ndryshuar asgjë, përveç largimit të Ismael Dungës. Lojtarët janë të njëjtët, stafi teknik po i njëjti. Ka shumë aludime për pagat, por kryebashkiakja Ademi ka deklaruar se të gjithë janë likuiduar sipas kontratave të tyre. Në stafin drejtues duken sikur po luajnë "cic-mic". Njëherë e shkarkojnë trajnerin, të nesërmen binden për aftësitë e tij dhe e rikthejnë sërish.

Të gjitha këto kanë koston e tyre, veçanërisht emocionale. Duke nisur nga trajneri e deri te punëtori i fushës, askush s'mund të punojë më i qetë. Kushtet janë në disfavor të Vllaznisë. Gjoba për trajnerin Brdariç duket e parakohshme sepse ai vijon të jetë brenda objektivit. Janë edhe shumë pikë në lojë. Diçka ndodh në skuadër, por askush nuk ka zë ta tregojë me të madhe. Ai që e pëson është gjermani. Me siguri kjo sjellje e drejtuesve nuk ka lënë shije të mirë te ai.

Para një ndeshje në Shkodër, dikush kishte probleme me automjetin e tij pranë stadiumit. Një tifoz i Vllaznisë që mbante shallin në qafë e po i drejtohej një bari për të ndjekur takimin tha: "Ça ka mor?", "S'po di hiç", iu përgjigj tjetri. "A i ke dhan' me hangër apo i ke lan si lojtart e Shkodrës?", duke lënë të nënkuptohej se futbollistët mund të kenë muaj pa u paguar dhe pakënaqësitë brenda grupit janë të pranishme.

Vllaznia është "djepi i futbollit shqiptar". Skuadra shkodrane ka "kenë", është dhe do të vijojë të jetë ajka e futbollit tonë. Me Voltanën apo pa Voltanën, ato ngjyra kuqeblu s'do mund të fshihen kurrë sepse janë të shkruara me arta në histori. Në Shkodër është krijuar në mënyrë artificiale një situatë që mund të menaxhohej krejt ndryshe, fiks, njësoj si objektivat para fillimit të sezonit. Gjoba për Brdariçin është konfirmim i situatës së trazuar që ka kapluar skuadrën e Vllaznisë.

Vllaznia është ndryshe nga politika, ka dy ngjyra dhe jo vetëm një sikurse partitë. Ajo është e tifozëve shkodranë dhe e futbollit shqiptar. Brdariç erdhi dhe i dha pak më shumë bukuri se më parë, ky është fakt dhe s'mund të mohohet. Çdo sezon luftohej për mbijetesë, këtë edicion në Shkodër pretendojnë titullin kampion. Nga gremina në majë të malit, është një kohë e gjatë në mes që duhet përshkuar. Ndaj është momenti për t'i dhënë meritat Brdariçit që me ata futbollistë që kanë një "jetë" te Vllaznia, ishte ai që i "kuroi" dhe sot i ka shtuar "oreksin" drejtuesve për shumë më shumë se mbijetesa. Karakteri i treguar nga Brdariç padyshim që i zhvlerëson shifrat e gjobës, por ndoshta jo veprimin e "parisë"!

Ndeshja që mund të vendosë fatet e Kombëtares kuqezi në rrugën drejt Botërorit 2026. Nga ku do e ndiqni Shqipëri – Serbi?

  • Shtëpia
  • Lokali
  • Stadiumi (kam aplikuar për biletë)

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga