
Laçi dhe Dinamo do të luajnë ditën e shtunë ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Laçi” do të startojë në orën 13:30.
Ekipet kërkojnë me doemos 3 pikët për të vazhduar rrugën drejt “Final Four”. Dinamo duke shpresuar te një hap fals i Tiranës në derbi përballë Partizanit dhe tek fitorja në Kurbin do të barazonin bardheblutë me pikë, madje duke patur edhe avantazhin e një ndeshje më shumë për të zhvilluar. Në krahun tjetër Laçi në rast fitore do të barazonte dinamovitët, duke shkuar në kuotën e 31 pikëve.
Por ajo ç’ka e bën ekipin e Mirel Josës të besojë te fitorja përballë Dinamos është e shkuara. Në 14 ndeshje të zhvilluara mes njëra-tjetrës në Superiore, Laçi ka rezultate më pozitive. 6 ndeshje janë fituar nga kurbinasit, 5 kanë përfunduar në barazim dhe vetëm në 3 raste ka triumfuar Dinamo.
Statistika të cilat i përkasin vetëm të shkuarës, pasi duke parë formën aktuale të Dinamos, padyshim që Josa dhe ekipi i tij do ta kenë të vështirë. Por edhe dinamovitët e kanë të vështirë në një transfertë si ajo e Laçit.