Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 28-të të Superiores, lojtarët dhe trajneri fitues

Shkruar nga NEWSPORT

Sot, u luajt ndeshja e fundit e javës së 28-të të Superiores. Supersfida Flamurtari - Skënderbeu ishte përmbyllëse e kësaj jave e cila u nda në shifrat 0-3. Newsport.al ka shpallur formacionin e javës duke zgjedhur 11 më të mirët. Më poshtë njihuni me lojtarët që spikatën këtë javë dhe trajnerin fitues.

Shpëtim Moçka - Ishte më i miri në fushë për Teutën. Me pritjet e tij vendimtare arriti t'i siguronte një pikë mjaft të vlefshme Teutës në barazimin 0-0 kundër Luftëtarit.

Blerim Kotobelli - Edhe pse pati shqetësime gjatë javës në seancën stërvitore, arriti të shpërblente besimin e trajnerit Klevis Dalipi. Në një fushë të vështirë si e Laçit, mëngjërashi ishte i pakalueshëm në krahun e majtë, por gjithashtu herë pas here arrinte të depërtonte në zonën kurbinase duke shërbyer topa për shokët e tij të skuadrës.

 Rustem Hoxha - Kundër Kamzës ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira të sezonit. Qendërmbrojtësi i Kukësit ishte një siguri më vete në prapavijë duke ia bërë më të lehtë Frashërit në portë.

Ylli Shameti- Si gjithmonë jep siguri në mbrojtjen e verilindorëve, lidër për Kukësin.

 Bojan Gjeorgjevski - Mbrojtësi i djathtë i Teutës bëri një ndeshje të mirë kundër Luftëtarit. Ishte konstant në lojën e tij dhe së bashku me Moçkën, ishin dy lojtarët që bënë diferencën në barazimin pa gola.

 Ardit Krymi - Në 11-shen e javës nuk mund të mungojë mesfushori i Vllaznisë. Edhe pse përballë kishin Lushnjën e rënë praktikisht nga Kategoria, 22-vjeçari i shkodranëve ishte më i lëvizuri në fushën e blertë duke bërë më së miri lidhjen e mbrojtjes me mesfushën.

Bruno Dita- Bëri një paraqitje shumë të mirë me Skënderbeun në ndeshjen kundër Flamurtarit, ku shënoi dhe një gol. Qarkullon mirë topin në mesfushë.

Jasir Asani - I ardhur këtë sezon futbollistik te Partizani, mesfushori i të kuqve është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të të kuqve. I kudondodhur, i saktë në pasime dhe ngacmues për portën kundërshtare, loja e Asanit spikati dje në fitoren 3-0 të Partizanit.

Elton Cale - 5 gola në këtë sezon për mesfushorin e Kukësit, por me shumë vlerë. Si gjithmonë spikat me lojën e tij duke qenë rrezik konstant për kundërshtarin. Dje arriti të shënonte golin e fitores për Kukësin, 3-pikë mjaft të rëndësishme për objektivat e skuadrës.

Besart Abdurrahimi - Nota 10 për golin e shënuar. E merr topin nga mbrojtja, parakalon gjithë mesfushën kurbinase, shmang mbrojtjen e Laçit dhe arrin të bëjë një supergol në hyrje të zonës. Gol sigurie për Partizanin që më parë kishte shënuar me Kardozon.

Xhevahir Sukaj - Ashtu siç ka emrin, bomberi shkodran i mahniti të gjithë me perlën e tij teksa realizoi një gol nga 60 metra. Jo vetëm goli i javës, por pa frikë mund të konsiderohet edhe goli i vitit. Sulmuesi i njohur arriti të shënonte dopietë në fitoren 4-0 kundër Lushnjës.

Trajneri:

Klevis Dalipi - Tekniku i të kuqve vijon ecurinë e rezultateve pozitive me skuadrën e Partizanit. Në javën e 28-të, 15-herë kampionët e vendit arritën të merrnin një fitore të merituar në një fushë të vështirë si ajo e Laçit. Lojtarët zbatojnë me përpikmëri udhëzimet e tij dhe fryma e futur brenda grupit, po krijon dalëngadalë ekipin që është pritur që nga fillimi i sezonit.

Poll

Lexo gjithashtu