
"Dhunë, përjashtime, mbledhje urgjente, president, kryeministër", këto ishin fjalët më të përdorura javën e fundit në kampionatin shqiptar. Gjithçka duket se ndodhi sa hap e mbyll sytë, por saktësisht 8 ditë kanë kaluar nga ngjarja e tmerrshme ku në stadiumin e Kamzës u godit arbitri Eldorian Hamiti. Arbitri i Superiores e pa veten mes një turme, ku të gjithë dukeshin si boksierët në ring që duan të fitojnë sfidën e tyre. Fatmirësisht ai sot është mirë, por ekipi i Kamzës tashmë duhet të nisë notin nga Kategoria e Dytë. Pra, shkaku i gjithë kësaj është ai që drejton klubin kryeqytetas, presidenti Naim Qarri.
Një dënim historik i dhënë ky për një klub shqiptar që veç përjashtimit nga ky sezon futbollistik, edicionin e ardhshëm duhet të vuajë në ligat inferiore. Pikërisht ky ishte shkaku i një tavoline urgjente të mbledhur ditën e sotme në një nga hotelet e Tiranës. Federata Shqiptare e Futbollit me në krye president Armand Dukën organizuan një mbledhje të përbashkët me përfaqësues klubesh ku prezent ishte edhe kryeministri Rama. Sot u diskutua gjithçka për një futboll më të bukur në fushë dhe zyrat e klubeve.
Sa do të marrë zgjidhje? Kjo pritet të shihet në vazhdim. E rëndësishme është se për herë të parë, politika u përfshi në sport për t'i dhënë zgjidhje një herë e mirë disa problemeve që rëndom në vendin tonë kishin zaptuar 80 minuta nga 90 minuta që ka një ndeshje futbolli. Për herë të parë në kryeqytet pati një bisedë konstruktive mes drejtuesve të klubeve, krerëve të FSHF-së dhe kryeministrit Edi Rama së bashku me disa zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë. Në pamje të parë, në letër duket një revolucion në futbollin tonë. Kryeministri Rama propozi që sistemi i futbollit në Shqipëri të ishte si ai anglez. Vite dritë larg duket, pasi infrastruktura lë shumë për të dëshiruar. Ama, nëse ligjet miratohen dhe vihen në zbatim ashtu siç u tha sot, e sigurtë është se futbolli i bukur do të jetë ai që do të luhet në fushë. Por, vetëm në fushë dhe askund tjetër.
Nëse për gjithë këto ditë me radhë, Naim Qarri është përmendur si njeriu që nxiti dhunën dhe ishte shkaktari kryesor i përjashtimit të Kamzës nga Superliga, me plot bindje e them që Qarri është ai që po krijon revolucionin e parë në futbollin shqiptar. Duhej të ndodhte ngjarja e Kamzës, që presidentë, përfaqësues të shtëpisë së futbollit (FSHF) dhe zyrtarë të lartë të qeverisë të mblidheshin një herë për të vendosur pikat mbi "i". Nëse për një javë rresht ai u përmend për atë situatë të shëmtuar të krijuar pas barazimit me Laçin, e sigurtë është që Qarri do të mbahet mend për një kohë të gjatë për të mirat që mund t'i vijnë futbollit shqiptar nëse do të zbatohen të gjitha ato që u thanë dhe u premtuan sot nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Diçka që duhej të ishte bërë shumë vite më parë, u bë sot vetëm falë Qarrit. Ndjesë Hamitit, por në këtë rast duhet t'i heqim kapelen. Më mirë vonë, se kurrë... /Retin TOKA/