
Nga Retin TOKA
"Zhurmë, zhurmë, shumë, shumë zhurmë", kryeministri Edi Rama duket se ka zgjedhur dy mënyra të zgjuara për të tërhequr vëmendjen e shqiptarëve pikërisht në periudhën kur gjithmonë politika vuan. Fillimisht zgjodhi një këngë tallava për fushatën zgjedhore, ndërsa së fundmi solli në Shqipëri skuadrën e Romës me trajnerin Jose Mourinho. Pra, sa më shumë zhurmë për të zhbërë gjithë kritikat në një moment jo shumë të qetë për Partinë Socialiste.
Në pamje të parë, gjithçka dukej bukur për tifozët e shumtë në shkallët e stadiumit "Air Albania". Në këtë impiant po luante një gjigant i futbollit europian si Roma. Ndoshta në një periudhë krejt tjetër, edhe Partizani i trajnerit Zoran Zekiç do t'i kishte thënë me zemër "faleminderit" të gjithë atyre që menduan dhe bënë të mundur rikthimin e italianëve për herë të dytë në Shqipëri.
Sonte ishte e qartë. Të kuqtë ishin në fushë se duhet të ishin. Logjika është e thjeshtë. Partizani vijon të jetë pjesë e Kupave të Europës dhe shumë pranë kualifikimit në fazën Play-Off. Vetëm para 48 orëve të kuqtë luajtën për 90 minuta në Letoni dhe pas 7 ditësh do të jenë sërish në fushë për të finalizuar çështjen e kualifikimit. Trajneri Zekiç u dorëzua përballë faktit duke hedhur në fushë lojtarë të rinj, që as në nivelin e Superiores nuk e kishin nisur asnjëherë nga minuta e parë.
Partizani nuk e ka luksin të luajë me formacion të dytë apo të tretë ndaj një Rome që ka në krye një "Special One" si Jose Mourinho ku garon në Seria A. Italianët nuk janë të jashtëzakonshëm. Me ekipin e parë për 20 minuta u dukën si të barabartë me tanët. Formacioni titullar i Partizanit tregoi shumë për këtë sfidë miqësore që u luajt në një moment kur sportivisht kryeqytetasve u duhet stërvitje dhe regjiim për ndeshjen e së enjtes dhe jo një ndeshje futbolli 90 minutëshe, për më tepër me nivel si Roma.
Me siguri nëse do ta kishin pyetur Zekiç për këtë përballje, mënyra se si organizoi sfidën tregoi se përgjigja do të ishte: "Jo, faleminderit! Më intereson më shumë Valmiera". Ndoshta dhe për drejtuesit, të cilët do të mbushin arkën me plot 1.76 milionë euro në rast kualifikimi. Tifozët mund të jenë kritikë ndaj këtij shkrimi. Por, çfarë vlen një miqësore kur titullarët për të cilët pretendohen të shiten, luajnë pak ose aspak? Si mund t'i tregojnë vlerat e tyre? Promovimi i Partizanit përtej Shqipërisë, është bërë prej vitesh. Partizanin nuk e bën "brand" përballja me Romën, Partizani është markë e rëndë e futbollit shqiptar. Ky është fakt!
Sporti këtë herë u duk se u përdor sërish nga politika. Nuk i shpëtoi as edhe një "Special One" si Jose Mourinho. U shqiptarizua për vetëm pak minuta në tokën shqiptare. "Vij me qejf këtu se kryeministri Edi Rama ka bërë mirë", ishin fjalët e para të tij pas zbritjes në aeroportin e Rinasit duke treguar padashur misionin e vërtetë se pse kishin mbërritur në Shqipëri.
Inceneratorët djegin fort në këtë periudhë të nxehtë vere. 430 milionë euro kanë krijuar plagë të thella në shoqërinë shqiptare. E pikërisht në një moment kur flitet për Arben Ahmetajn në kërkim, inceneratorët që s'u vunë në punë kurrë por ropën taksat e shqiptarëve dhe "Malin e Tiranës" që do të zaptojë gjithë kryeqytetin, ku ka më mirë se të bësh zhurmë me Noizyn dhe Mourinhon. Kjo ngjarje e madhe në konotacionin sportiv do të trumbetohet me javë nga mediat shqiptare, ndoshta dhe ato italiane. Dhe në këtë mënyrë, ish zv. kryeministri do të mbetet vetëm një kujtim, inceneratorët do të vijojnë punën e tyre imagjinare, ndërsa kulla shumëkatëshe herën tjetër do të jetë gati për Mourinhin ta mirëpresë në metrin e 205-të .
Sot shteti ishte në këmbë për skuadrën e Romës. Administrata ishte në stadium. Televizioni Publik Shqiptar që si rrallëherë, tashmë me drejtues të rinj, nuk la çikë e thërrime pa raportuar. Në stadium ishin kryeministri Rama, kryebashkiaku Veliaj dhe sigurisht edhe Noizy... Jo më kot thonë që çudia më e madhe në Shqipëri vetëm 3 ditë zgjat. Tashmë s'mbetet gjë tjetër, veçse të presim zhurmën e radhës. Normalisht me vëmendjen më të madhe nga SPAK-u...