
Sot, do të luhet ndeshja më e rëndësishme e këtij sezoni futbollistik, teksa Kukësi do të presë Partizanin në shtëpinë e shkodranëve, "Loro Boriçi". Nëse verilindorët arrijnë të fitojnë rihapin kampionatin, në të kundërt të kuqtë mund të konsiderohen praktikisht kampionë. Esat Mala është një nga lojtarët e Partizanit që është në dyshim për sfidën e sotme.
Pikërisht për mesfushorin e talentuar ka folur edhe Alban Bushi nga selia e FSHF-së. Trajneri i Kombëtares U-21 është i drejtëpërdrejtë në fjalët e tij. "Të shoh nëse Mala luan sot. Të dëmtuarit nuk kanë më vend në skuadrën përfaqësuese", ishin fjalët e tij duke shprehur publikisht mosbesimin ndaj mesfushorit shtatshkurtër.
Ky i fundit nuk arriti të aktivizohej me kuqezinjtë pasi kishte shfaqur probleme në gju. Në një ditë, kur Partizani është i "karikuar" në maksimum për të dhënë më të mirën në tapetin shkodran, deklarata e dalë nga institucioni i Federatës Shqiptare të Futbollit është mjaft domethënëse.
"Esat, po ta mbajti, futu luaj. Shihe me dylbi pastaj Kombëtaren", ky është nënteksti i qartë i teknikut të 21-vjeçarëve tanë, që për gjatë këtyre viteve që drejton kuqezinjtë, suksesi është një fjalë që mund të lexohet vetëm në letër. Arrijmë të shkojmë deri aty saqë modestët e Andorës shkruajnë historinë me 21-vjeçarët e Kombëtares.
Esat! Ti e ke "fajin"! Po të ishe ti në fushë, do kishte qenë ndryshe... Ndoshta ti ke të drejtë sepse të dhemb ty e jo ne. Ndoshta shumë prej nesh që "luajnë" futboll vetëm duke shkruar nëpër zyra, arrijmë të të paragjykojmë. Madje mund të bëjmë shumë thjeshtë edhe trajnerin duke të udhëzuar se çfarë të bësh. Megjithatë ti je ai djali që vrapon pa pushim në fushë dhe arrin të dëgjosh vetëm dy zëra: Atë të tifozëve dhe të trajnerit tënd. Edhe sot ndiq ritmin që ke ndjekur gjithmonë. Në Shqipëri nuk është hera e parë që talentët hidhen poshtë, ama ti tashmë ke fituar një vend titullari në një nga skuadrat më me emër në Shqipëri.
Menaxherët po turren të të kenë në gjirin e tyre. E ardhmja jote është e ndritur dhe me siguri ti ke buzëqeshur kur ke dëgjuar trajnerin Alban Bushi të flasë në mënyrë të tillë. Ndoshta s'e ke pasur për herë të parë, sepse pas kuintave ka shumë skeçe që edhe aktorët profesionistë s'dijnë t'i luajnë në mënyrë të tillë. Kombëtarja sigurisht që nuk kalohet në plan të dytë, por ty s'mund të të paragjykojmë. Nëse ndihesh në formë, futu luaj. Nëse jo, mos u ndiko nga presionet.
Ço në mendje që tranzicioni në Shqipëri do vijojë për vite me radhë dhe ti turru. Vrapo fort sepse "këmbët e shpejta, faqebardhë". Bëj atë që di të bësh më së miri. Askush s'do të mund të të hajë hakun. Trajnerët janë gjithë kalimtarë, ashtu sikurse jeni edhe ju lojtarët. Fjala jote s'duhej të vihej në dyshim, ashtu sikurse Jasir Asani nuk e diskuton asnjëherë se ku do ia nxjerrësh asistin dhe është atje për të përshëndetur rrjetën. Ndaj, turru, vrapo... Europa nuk është shumë larg. Të gjithë presin asiste, ndoshta edhe Kukësi kishte nevojë për një sot, e për më tepër nga një ish-sulmues... /Retin TOKA/