
Nuk ka pushim për Partizanin dhe Egnatian. Të dyja ekipet kanë nisur nga puna për përgatitjet për Superkupën e Shqipërisë, takim që do të luhet ditën e mërkurë në orën 19:00.
Si demat ashtu dhe rrogozhinasit do të përplasin “brirët” mes tyre për trofeun e parë të këtij sezonit. Kryeqytetasit do të synojnë që ta bëjnë të tyre dhe pas barazimeve radhazi në kampionat do të tentojnë trofeun për të risjellë entuziasmin në ekip.
Gjithsesi nuk do ta kenë aspak të lehtë përballë një ekipi i Egnatia, aq më tepër që Arbër Abilaliaj e shqetësojnë 3 titullarë. Andir Hadroj dhe David Atanaskovski shfaqën probleme fizike ndaj Kukësit. I pari ndjente lodhje fizike, teksa mbrojtësi ka probleme me kyçin e këmbës.
Gjithashtu edhe Binsouka ka probleme me stomakun dhe kjo ka bërë që të mos jetë në stërvitje me skuadrën. Gjendja e të 3 lojtarëve do të shikohet deri para duelit në Superkupë dhe Abilaliajn që shpreson të jenë në 100% e tyre të gjithë futbollistët për të zgjedhur më pas 11-shen startuese.