
Vllaznia luajti mbrëmjen e djeshme përballë Linfield në transfertë, ndeshje e vlefshme për raundin e parë të Conference League. Shkodranët pësuan një humbje zhgënjyese duke u mposhtur me rezultatin 3-1. Goli i vetëm u shënua nga Juric në fund të takimit, por një gol që i jep atyre të drejtën të shpresojnë për një përmbysje të madhe në ndeshjen e kthimit.
Në fakt nuk do të ishte hera e parë pasi jo më larg se 2 sezone më parë një rezultat i ngjashëm u zhvlerësua në Shkodër ndaj Siroki Brijeg. Kuqeblutë përmbysën një humbje 3-1 në Bosnjë, ‘Loro Boriçi’ do të përjetonte një nga përmbysjet më të mëdha të historisë së saj. Edhe situata me ekipet ishte thuajse e njëtja pasi në të dy rastet Vllaznia vinte pas një revolucioni në organikë dhe staf.
Por, nga ajo humbje në Bosnje tek kjo në Irlandën e Veriut ka disa ndryshme. Në humbjen përballë Siroki Brijeg, Vllaznia ishte dukshëm një ekip superior dhe që duhej theksuar, përballë kishin jo vetëm 11 futbollistët boshnjak, por duhet të llogarisnin edhe gabimet trashanike të gjyqtarit të sfidës që ndikoi absolutisht në rezultat.
Nuk mund të thuhet e njëjta për humbjen me Linfield. Vllaznia u shpërfytyrua në pjesën e dytë, me lojtarët që bënin shumë gabime individuale që rezultuan edhe në pësimin e 3 golave.
Mbetet të shihet javën tjetër nëse ‘Loro Boriçi’ do të prodhojë edhe një herë mrekullinë e përmbysjes së madhe.