Nga Andi Matraxhiu
Duke ndjekur me vëmendje debatet e shumta, lidhur me futbollin shqiptar, në këtë periudhë të vështirë që po kalojmë, mendova të ndalem dhe të analizoj këtë situatë në këndvështrimin tim modest.
Presidentë të futbollit, kryeministri, zv/ministra, kryetar/e të bashkive, të gjithë me radhë folën, por topin askush s’e mbajti ndërkëmbë. Top të gjatë njëri, top të gjatë tjetri dhe futbolli sërish (më saktë futbollistët) mbetën jetim edhe në kohën e kolerës.
Gjithësecili që i përket botës së futbollit duhet të solidarizohet, duke ngritu zërin në këto momente. Padyshim duke analizuar me radhë këto eksponentë të lartë përmendur, të cilët janë përgjegjës kryesor në këtë “black-out” financiar, ku Coronavirus është thjesht një pretekst për të dalë nga situata.
Edhe unë e kam shumë të thjeshtë të hesh dhe të bëj rolin e naivit, por si gjithmonë kam dëshirë të bëhem pjesë e minorancës që nuk fshihet pas gishtit apo nuk komunikon vetëm me pasqyrën.
E para e punës, presidentët e futbollit tonë (jo të gjithë) nuk kanë një
bilanc financiar të deklaruar përpara se të nisë gara, nuk kanë një shumë të
ngrirë për të siguruar fondet 1-vjeçare. Por, gjithçka zhvillohet në tym dhe
pagesat lidhen me suksesin momental të shoqëruara me dëshirën sentimentale të
një individi. Të vjen keq të vendosësh dorën në plagë, por kjo është e vërteta
dhe Coronavirus po gjendet si një pretekst, pasi asnjë ekip në Shqipëri nuk e
ka të lidhur financën e klubit me zhvillimin e ndeshjeve në kampionat. E para,
të ardhurat nga e drejta televizive sigurohen në fillim të sezonit dhe nuk kanë
lidhje me ecurinë apo zhvillimin e ndeshjeve në kampionat. E dyta, duke veçuar
derbin, asnjë ndeshje tjetër, nuk ka mundësi të ndikojë në pagesat mujore të
lojtarëve.
Kalojmë te politikanët. Të vjen kur kryeministri deklaron se futbolli ynë punon
në të zezë. Zoti kryeministër, ngre grupe pune për të ndërtuar një strategji të
saktë për aktivitetin futbollistik, mbështet sindikatët e lojtarëve apo
organizma të tjerë që janë të lidhur direkt me interesat e lojtarëve.
Zoti kryeministër, ashtu siç vendose ligjin për invazionin në fushë, dhunën
në sport, vendos edhe ndëshkime të tjera penale për ata që nuk paguajnë, për
ata që punojnë në të zezë. Mos u kujto për futbollin vetëm kur ka ndeshje Kombëtarja
apo në ndonjë inagurim të stadiumit të ri. Nëse futbolli është në evasion fiscal,
jo më pak të përgjegjshëm janë edhe funksionarët e pushtetit tënd, të cilët
duhet të kontrollojnë kontratat, abuzimet dhe gjithçka që mund të ketë vend për
hetim.
Ndalemi te zv. Kryeministri! Shfaqet në tribuna si tifoz i madh, por në fakt
flet vetëm për linjat politike. Zoti Braçe është figura më pak e besuar e
futbollit, pasi shfaqet në tribunë me ndjenja personale dhe kur vjen momenti për
të diçka konkrete për futbollin, fajin e ka federate dhe asnjëherë qeveria.
Por, për të nxjerrë bllof këta individë, që e duan futbollin vetëm për 90
minuta, për të shfryrë dëshirat personale, mjafton të kujtojmë ligjin e shumëpremtuar,
por që kurrë s’po miratohet.
Të vjen keq që jemi pjesë e këtij futbolli, me të mirat dhe të këqijat tona, kur shikon talljen nga ata persona që me një “kërcitje gishtërinjsh” mund të ndryshojnë gjithçka.
Ndërkohë që kryetarët e bashkive kanë kohë të mbjellin pemë, të flasin për
lakra e karrota, për kapakët e pusetave, por kur vjen tema te futbolli është
orari për të ikur në shtëpi. Ky institucion si bashkë-aksioner në shumë klube
futbolli, në raste të veçanta është bashkëpunues. Për të mos thënë më tepër në
raste fushatash…
Më pas vjen dhe Federata, të cilën s’e preka më lart sepse diçka presidenti
Duka është munduar të solidarizohet. Megjithatë do t’i drejtohesha zotit Duka
me disa pyetje: Çfarë plan masash ka të hartuara federate për momente të tilla krize,
të cilat normalisht mund të ndodhin për arsye të ndryshme natyrore dhe jo vetëm?
Sa është buxheti i FSHF-së aktualisht? A mund t’i kërkohet UEFA-s fond i posaçëm
për të shpëtuar financiarisht lojtarët dhe klubet shqiptare ashtu siç ky
institucion ndihmon në momente të ngritjeve të stadiumeve të rinj? A është
ngritur një grup pune për të analizuar këtë situatë kolapsi ku ndodhet futbolli
ynë? Cilat janë konkluzionet e tyre? Po zgjidhja?
Nuk është kredia zgjidhja më e mirë, pasi me të vërtetë mbyll një gropë sot,
por hap një të re që duhet të mbushet sërish në një të nesërme të shpejtë!