
Çdo tifoz që dëshiron të futet në fushë gjatë Europianit të Gjermanisë, duhet ta mendojë më shumë se dy herë. Kjo për shkak se UEFA ka paralajmëruar së fundmi se do shtojë sigurinë dhe për më tepër dënimet do të shkojnë deri në akuza penale.
“Do të merren masa shtesë sigurie në stadiume për të përmbushur më tej kërkesat e turneut dhe për të parandaluar incidente të tilla. Siguria në stadium, në fushë dhe në ambientet e ekipit është prioriteti kryesor i UEFA-s, DFB-së gjermane dhe organizatorëve të Kampionatit Europian. Çdo hyrje në fushë nga një person i paautorizuar është shkelje e rregullave të stadiumit dhe do të rezultojë në largim nga stadiumi, ndalim nga të gjitha ndeshjet e Europianit dhe akuza penale për hyrjen në fushë”, njofton UEFA.
Kujtojmë se në të dyja ndeshjet e Kombëtares së Shqipërisë, tifozë kuqezi janë futur në fushën e lojës. Për këtë fakt FSHF është dënuar me gjobë. E radhës luhet në Dyseldorf kundër Spanjës, më 24 qershor ora 21:00.