Ai ishte një nga protagonistët e ndeshjes së djeshme kundër Lushnjes ku Laçi fitoi me shifrat 3-1 në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit. Pas dopietës së shënuar dje për Newsport.al flet Redon Xhixha. Sulmuesi i ri shfaqet shumë i lumtur për golat e shënuar ku nuk do të ndalet por gjithashtu vlerëson edhe performancën e ekipit kurbinas këtë sezon.
- Si ndihesh pas dopietës kundër Lushnjes ?
Goli është ajo për çfarë luan një sulmues. Normalisht që jam i gëzuar që shënova dhe që ndihmova ekipin në një ndeshje të rëndësishme. Uroj të mos ndalem me kaq.
- Shifrat e tua janë me të vërtetë impresionuese këtë sezon por minutat nuk kanë qenë të plota. Cila është arsyeja që trajneri nuk iu aktivizon aq shpesh ?
Këto janë zgjedhjet e trajnerit dhe mendimet e tij. Për këto çështje vetëm ai mund të flasë dhe të marrë përgjegjësi. Unë mbetet që të zbatoj zgjedhjet e tij dhe të shfrytëzoj momentin tim sa herë të më jepet mundësia.
- Si e shikon ekipin e Laçit në këtë sezon ?
Laçi këtë vit është një ekip që është bazuar kryesisht te elementi i ri dhe i talentuar. Mendoj se është krijuar një ekip shumë i fortë, gjë që e kemi treguar deri në këto momente në kampionat.
- Një ndeshje me Vllazninë këtë javë. Si e prisni ndeshjen kundër shkodranëve ?
Vllaznia është një ekip i fortë që në këto javë ka treguar edhe lojëra shumë të mira ku edhe ka marrë fitore. Unë mendoj se do ia dalim mbanë edhe kundër Vllaznisë për të marrë një rezultat pozitiv.
- Premtoni rezultatet pozitive në vazhdim të kampionatit ?
Çdo ekip është në kërkim të rezultateve pozitive dhe as ne nuk bëjmë përjashtim. Çdo ndeshje hyjmë për të marrë më të mirën dhe unë premtoj se kjo dëshirë e jona për të fituar nuk do shuhet kurrë.
- Ku mund ta shohim Xhixhën në të ardhmen ? Ku duke qenë se keni shfaqur vlera dhe interesi i ekipeve është rritur në drejtimin tuaj.
Të ardhmen nuk mund ta parashikoj. Për momentin jam një lojtar i Laçit dhe këtu dua të jap më të mirën time. /Endri ÇINARI/