
Nga Gerti ÇARÇANI
Partizani përsëri lëngon dhe jo pak... Me rikthimin e garës sërish cedon dhe e nisi aty ku e la. Inkuardimi i herë pas here i kamerave gjatë transmetimit të ndeshjes me Skënderbeun, drejtori sportiv Olsi Rama, sërish diç deshën të thonin ose më saktë, ai vetë s’po arrinte të lexonte investimin e tij në fushë. Një Partizan që përsëri rrëpatet dhe nuk ka fuqi të reagojë, të predominojë, madje as të flasë apo ulërasë. Gjendet 18 pikë nga Tirana kryesuese dhe është në dilemë të madhe për të arritur Europën. E favorizon shumë kalendari, por pas ndeshjes me Kukësin.
Pas titullit kampion, ky Partizan i këtij edicioni ka fituar vetëm një titull, atë të ecjes në investimin e ndërtimit të kompleksit sportiv. Vëmendja është spostuar atje, një taktikë e bukur edhe kjo. Jo për të harruar kurrësesi fushën. Spektri i drejtorit sportiv gjatë disavantazhit 0-2 në Tiranë, lexonte jo pak trishtim. Mbase do të preferonte më shumë në heshtje që izolimi pandemik të kishte zgjatur edhe për shumë kohë si receta e vetme dhe e gjestionimit “Rama” për të shpëtuar këtë sezon.
27 javë kampionat, vendi i 7-të, jashtë Kupe, jashtë Europe momentalisht. Me frikën drejt të 8-tit që luan “Play-Out”. Në heshtje, por të revoltuar, tifozët nuk e pranojnë kurrësesi këtë situatë. Skuadra nuk po di më si të reagojë. Kukësi është stacioni kryesor për të justifikuar këtë sezon, mjerisht larg objektivave. Sormani, i qetë, vijon të argumentojë përgjigjen e padhënë të lojtarëve të tij në fushë, teksa një trajner shqiptar do ta kishin ekzekutuar sportivisht me një kurbë të tillë rezultatesh të një skuadre që nisi si kampion dhe mbeti thjesht e vetëm një lodër e bukur e administruar keq.
Sidoqoftë, kampionati ka edhe një fazë. Në provë janë të gjithë, të gjithë, lojtarë, trajner-staf, ndoshta përveç Olsit që mbetet senatori a vita (senatori i përjetshëm) në klubin legjendar...