
E drejta televizive për transmetimin e Abissnet Superiore mbetet enigma kryesore në futbollin shqiptar. Teksa jemi më pak se një javë nga starti i sezonit, nuk është bërë ende zyrtare se kush do të transmetojë.
Gazeta Shkodra Sport zbuloi ditën e djeshme se televizioni MCN ka bërë ofertën më të lartë te FSHF duke mposhtur konkurencën e platformave të tjera. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i gazetarit që punon në këtë televizion, Gerti Çarçani.
Në një koment tek artikulli, Çarçani konfirmon lajmin por thekson se asgjë nuk është zyrtare pa thënë fjalën e fundit Federata. Pritet konfirmimi i Qeverisë së futbollit për t’i dhënë fund kësaj çështje që është përfolur gjithë verën.
“Nuk ka asgje te konfirmuar ende persa kohe nuk shprehet FSHF. Presim komunikimin e FSHF”, shkruan Çarçani.