
Dinamo City, ekipi që kreu një revolucion që nga lojtarët, stafi teknik, emri, logo dhe uniformat. Një ekip që në momentin që filloi sezoni i ri, cilësohej si një nga ekipet më të forta, madje duke e rreshtuar në ekipet pretendente për tu shpallur kampion. Një ekip që mblodhi emra cilësorë në ekip, por kjo cilësi nuk arriti t’i tregonte frytet.
Një ekip që nuk po arrin pritshmëritë edhe pse në krye deri para disa ditësh kishin një emër të madh si Luigi Di Biagio. Ky i fundit erdhi me shumë bujë në pankinën e ‘Nëndetëses’, por italiani e përmbyti më shumë atë edhe pse pritej që ta shpëtonte dhe t’i rikthente lavdinë e dikurshme. U shpenzua shumë për të krijuar ekipin, por deri më tani shpenzimet duken të kota pasi nuk kanë dhënë asnjë efekt.
Gjithçka shihet qartë nga pikët që ka grumbulluar Dinamo në 9 javët e para të kampionatit. Ekipi dinamovit e ka mbyllur fazën e parë të “Abissnet Superiore” në vendin e fundit, ku nga 27 pikë të mundura, ‘Blutë’ kanë arritur të marrin vetëm 7 pikë. E nisën me humbje në derbi përballë Tiranës në “Elbasan Arena” me rezultatin 2-3 dhe në po të njëjtin stadium dhe rezultat u mposht nga Teuta. Ekipi njeh vetëm dy fitore. Përballë Laçit në transfertë dhe përballë Kukësit. Të dyja këto fitore të marra në momentet më të vështira të kundërshtarëve, me këta të fundit që po bënin ‘tranzicion’ trajnerësh.
Shpëtimin pritet ta gjejë nga brenda 'shtëpisë', teksa Dritan Mehmeti shpresojnë të jetë ‘polumbari’ që do nxjerrë Dinamon nga thellësia ku është zhytur.