
Ditën e sotme luhet ndeshja finale për trofeun e Kategorisë së Parë.
Lushnja dhe Kamza do të përballen mes tyre në "Elbasan Arena" në orën 16:30. Të dyja ekipet i kanë arritur objektivat e tyre për sezonin dhe tashmë janë në Superligë. Ky takim do të jetë më tepër një ndeshje prestigji dhe një konfirmim i punës së kryer gjatë gjithë sezonit.
Si Kamza ashtu edhe Lushnja do të kërkojnë maksimumin nga ky takim.
Në një prononcim për newsport.al, përpara sfidës së sotme ka folur dhe trajneri i Lushnjës, Artan Bano. Ai shprehet se grupi është i plotë dhe se pezullime nuk do të ketë pasi kartonat si rregull nuk do të llogariten.
" Sot do të luajmë një takim mjaft të rëndësishëm kundër Kamzës. Edhe pse objektivat të dyja skuadrat i kanë arritur, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të japim maksimumin.
Gjithë puna e bërë u shpërblye në fund me ngjitjen në Superligë. E kemi përgatitur mjaft mirë këtë takim dhe do të jetë një ndeshje mjaft e bukur. Si ne ashtu edhe Kamza, kemi bërë një sezon mjaft dinjitoz dhe me meritë jemi këtu sot.
Ne do të jemi të plotë kundër Kamzës duke shtuar se vetëm një lojtar është i dëmtuar. Futbollistë nuk do të ketë të pezulluar pasi kartonët janë zeruar. Në fuishë normalisht do të hidhet një formacion titullarësh.
Kamza ka një ekip të mirë me disa lojtarë mjaft cilësorë të cilët kanë eksperiencë të mëparshme dhe në Superligë.
Pritet të zhvillohet një garë mjaft e bukur dhe ja vlen të ndiqet. Konfirmoj gjithashtu që për lojtarët ka një premio e cila është 20 milionë lekë të vjetër. Kjo mund të shërbejë si një motivim për të dhënë akoma më shumë në fushë, edhe pse lojtarët janë të motivuar mjaftueshëm për këtë ndeshje.
Do të jetë një ndeshje e bukur për faktin që asnjë nga skuadrat nuk ka presion dhe se fusha mjaft e mirë në "Elbasan Arena" të mundëson të shprehesh në lojë. Të gjithë do të tregojnë më së miri veten e tyre" përfundoi Bano për newsport.al