
Arbër Abilaliaj udhëheq prej disa javësh tashmë Partizanin. Pas largimit të Zoran Zekic, Gaz Demi i besoi skuadrën drejtorit sportiv, i cili në 5 ndeshjet e radhës në stolin e demave arriti të marrë 15 pikë.
Kjo bërë që drejtuesit ta konfirmonin në krye të skuadrës për pjesën tjetër të sezonit. Por duket se Abilaliajn si trajner e ka kapur “syri i keq”. 37-vjeçari u konfirmua zyrtarisht në stolin e të kuqve më 19 nëntor dhe në 5 ndeshjet e fundit është “abonuar” me barazimet.
Kryeqytetasit janë ndalur në barazim me Egnatian, sfidë që u luajt në “Egnatia Arena” dhe përfundoi 1-1. Ndërkohë 0-0 është mbyllur derbi me Dinamon, sfidë e zhvilluar në “Arenën e Demave”, teksa po 1-1 ka pëfunduar edhe përballja me Tiranën në “Air Albania”, po me këtë rezultat kanë përfunduar edhe duelet me Teutën në “Niko Dovana” dhe Skënderbeun në “Arenën e Demave”.
Vetëm 5 pikë në 5 ndeshjet e fundit kanë bërë që Partizani të largohet me 3 pikë nga vendi i parë. Takimi i radhës për kryeqytetasit është sfida me Kukësin në “Kukës Arena”. Kjo ndeshje do të luhet ditën e dielë në orën 13:30 dhe është e vlefshme për javën e 17-të të Superiores. Abilaliaj do të synojë t’i japë fund “agjërimit” dhe të rikthehet te fitorja në kampionat që iu mungon prej 5 javësh.