
Laçi dhe Kukësi luajnë nesër në 15:00 për javën e gjashtë të Superligës. Ndeshja është e rëndësishme për dy skuadrat, që janë në krizë rezultatesh.
Para ndeshjes ka folur edhe trajneri i Laçit, Dejan Vukicevic. Për malazezin të tijtë janë duke vuajtur dëmtimet, ndërsa fton tifozët në stadium për inkurajimin e lojtarëve.
“Kukësi - Sigurisht që kemi një ndeshje të rëndësishme përpara nesh. Jemi duke u përgatitur dhe e dimë që luajmë kundër një skuadre të mirë, e cila si ne nuk e ka një fillim të mirë të sezonit.
Pritshmëritë? Sigurisht që jam optimist, luajmë në shtëpi dhe duhet të bëjmë shumë mirë, gjë që më jep të drejtën të jem optimist para ndeshjes. Do të ftoja tifozët të na mbështesin me shumicë, të vijnë të na inkurajojnë.
Grupi dhe dëmtimet - Ende nuk jemi kompletuar. Ujka dhe Borisjuk dolën nga lëndimet, do të jenë gati, por nuk janë 100 përqind për një ndeshje kaq të rëndësishme.
Shkurtaj dhe Alla janë ende jashtë skuadrës dhe pres që të jenë gati për ekipin nga fundjava e ardhshme. Ndërkaq Roganoviç u ekzaminua teksa figuroi ende i dëmtuar dhe nuk punoi me ekipin për disa ditë.
Këto janë të gjitha problemet me të cilat po përballemi, por nuk e ndryshojnë qëllimin tonë, që është fitorja”, tha Vukicevic.