
Adnard Mehmeti padiskutim mund të kosiderohet lojtari më i ri i demave në këtë merkato. Edhe pse mungon ende zyrtarizimi, të kuqtë kanë arritur të sigurojnë shërbimet e mesfushorit, që sezonin që kaloi arriti të shkëlqente me fanelën e Erzenit.
Që të sigurojë shërbimet e Mehmetit, drejtuesit e Partizanit kanë derdhur në arkat e shijakasve plot 100 mijë euro. Një shifër e konsoiderueshme kjo për një futbolist të blerë po në kampionatin shqiptar. Me ardhjen e 22-vjeçari alternativat në mesin e fushës shtohen dhe tashmë Zoran Zekic do të ketë edhe luksin e zgjedhjeve. Lojtari nga Vushtria do të mbajë fanelën e kuqe për 4 vite.
Por nëse shikojmë pak në organikën e Partizanit, Mehmeti nuk është i vetmi lojtar për të cilin kryeqytetasit kanë “derdhur” lekë për t’i bërë “dema” të kuq. Nga vera e vitit të kaluar deri në këto momente, të kuqtë kanë shpenzuar plot 545 mijë euro për blerjen e 8 lojtarëve.
Tedi Cara u ble nga Besa e Kavajës për 75 mijë euro, Valentino Murataj nga Bylisi për 50 mijë euro, Arinaldo Rrapaj nga Skënderbeu për 50 mijë euro. Alfred Mensah po nga Skënderbeu për 50 mijë euro, Marcelino Preka nga Bylisi për 60 mijë euro, Christian Mba nga Trepça ’89 për 120 mijë euro, Albers Keko nga Korabi për 40 mijë euro dhe në fund Adnard Mehmeti nga Erzeni për 100 mijë euro. Kjo tregon se Partizani nuk kursehet aspak kur shikon që lojtarë me të ardhmen bëjnë diferencën.