
Legia po luan kundër Zaglebie në transfertë, ndeshje e vlefshme për javën e 19-të të kampionatit polak. Rezultati është 0-2, ku Ernest Muçi është ai që po shkëlqen në këtë ndeshje. Sulmuesi i kombëtares shqiptare realizoi golin e dytë të takimit.
Në minutën e 60-të të sfidës, lojtari kryeqytetas shfrytëzoi si duhet asistin e Josue. 21-vjeçari e ka nisur këtë ndeshje si titullar dhe me golin e shënuar, tashmë ka shfrytëzuar besimin e trajnerit.
Kalimi i Ernest Muçi në Poloni te Legia e Varshavës u trumbetua me të madhe. Por, forma e ish sulmuesit të Tiranës nuk ka qenë siç pritej. Këtë sezon futbollistik ka nisur të njohë progres në formën e tij dhe sonte ka shënuar golin e tretë në 18 ndeshje që është aktivizuar.