Ndeshja Vllaznia – Egnatia prodhoi gjithçka, nga gola, te polemikat, kartonët e kuq e deri grushtat. Ekipi rrogozhinas fitoi 2 – 1, ndërsa janë shumë pranë titullit kampion në Superiore për herë të 3-të radhazi.
Goli i fitores nga Adjessa, nxiti të dyja kampet. Ishte festimi provokativ i kapitenit të Egnatias, Albano Aleksi që “ndezi gjakrat”. Mbrojtësi i Vllaznisë, Erdenis Gurishta nuk hezitoi të ngrihej nga stoli dhe të ballafaqohej me Aleksin.
Jo vetëm kaq. Ish-mbrojtësi i Kombëtares, nuk ngurroi të godiste me grusht liderin e kampionëve, por fatmirësisht për lojtarin rrogozhinas, nuk kishte “shënjestrën” e duhur.
Të dy, u përjashtuan nga fusha me karton të kuq (për Albano Aleksin ishte i dyti karton i verdhë). Pritet me interes vendimi i Disiplinës. Skena të tilla janë të papranueshme për futbollin shqiptar, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me garën dhe profesionalizmin.
