
Gazetaria shqiptare u trondit ditën e djeshme, pasi Artur Zheji mbylli sytë para kohe si pasojë e një arresti kardiak. Teksa drekonte me familjen e tij në Sarandë, 64-vjeçari mori një sulm në zemër që rezultoi fatal.
Largimi nga jeta e Artur Zhejit ka prekur gjithashtu dhe presidentin e FSHF-së, Armand Dukën. Numri një i Federatës Shqiptare të Futbollit i ka dhënë lamtumirën gazetarit me një postim në rrjetet e tij sociale.
“Shumë i trishtë lajmi për ndarjen e papritur nga jeta të gazetarit dhe publicistit të njohur Artur Zheji, në moshën 64-vjeçare.
Arturi ishte një nga figurat më të spikatura të medias shqiptare, një analist i drejtpërdrejtë dhe i guximshëm, që gjithmonë i qëndroi besnik së vërtetës.
Kontributi i tij në gazetari dhe publicistikë do të mbetet një trashëgimi e çmuar për shoqërinë shqiptare.
Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar!”, shkruan presidenti Duka.