Elseid Hysaj ka zyrtarizuar largimin e tij nga Lazio në fundin e këtij sezoni. Njoftimin e ka bërë të ditur vetë mbrojtësi i Kombëtares përmes një postimi në rrjetin social, ku shpreh vlerësimin e madh për periudhën 5-vjeçare që ka kaluar me lacialët.
Në shkrimin e gjatë, Hysaj bëhet nostalgjik duke kujtuar momentet më të bukura si dhe ato të vështira që e kalitën në rrugëtimin e tij profesional me këtë skuadër, teksa pati një falenderim të veçantë edhe për tifozët.
Me Lazion, mbrojtësi numëron 131 paraqitje, ku ka shënuar 2 gola dhe ka dhuruar 4 asiste. Hysaj po ashtu ka veshur dhe fanellën e Napolit dhe Empolit në kampionatin italian.
POSTIMI:
“Pas 5 vitesh në këtë rrugëtim, ka ardhur koha për të thënë mirupashim.
Kanë qenë vite intensive, të mbushura me emocione, momente të bukura dhe sidomos ato të vështira, por unë kam dhënë gjithmonë maksimumin tim me profesionalizëm dhe respekt deri në ditën e fundit.
Dua të falenderoj shokët e mi të skuadrës, një grup i vërtetë i përbërë nga djem të jashtëzakonshëm me të cilët kam ndarë kaq shumë si brenda ashtu dhe jashtë fushës.
Një falenderim të veçantë dhe për të gjithë tifozët e Lacios; ngrohtësia, pasioni dhe mbështetja juaj do të qëndrojnë me mua përgjithmonë.
Roma do të jetë gjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës sime; familja ime dhe unë do t’i jemi gjithmonë mirënjohës. Ju uroj më të mirat sepse i meritoni dhe shpresoj që Lazio të rikthehet aty ku e meriton të jetë.
Faleminderit për gjithçka,
Forca Lazio, gjithmonë!
View this post on Instagram
