
Kosova fitoi me rezultatin 3-2 përballë Irlandës së Veriut në stadiumin “Fadil Vokrri”. Tre pikë shumë të vlefshme këto për dardanët, që vinin pas humbjes me Greqinë.
Mungesat e Aro Muriç, Edon Zhegrovës dhe Alitit ishin tjetër sfidë për Kosovën, që megjithatë arriti t’ja dalë mjaft mirë. Rrudhani debutoi sot me fanelën e përfaqësueses së vendit tij, duke lënë gjurmë dhe pse jo në pozicionin e tij natyral.
Donat Rrudhani luan për Aarau në Zvicër dhe sot mahniti publikun e pranishëm në stadium, duke qenë ndër më të mirët në fushë. Më poshtë dhe fjala e tij në përfundim të sfidës, e mbushur plot emocione.
“Ndjenjë e papërshkrueshme për këtë mbrëmje debutimi, Jam shumë i kënaqur për paraqitjen time, pro edhe atë të skuadrës, pasi ia dolëm të luajmë mirë dhe të marrim fitoren.
Kam biseduar me trajnerin dhe ndonëse kisha dy vite që nuk aktivizohesha si mbrojtësi i majtë, doja të sakrifikoja për skuadrën dhe tregova se jam gati që për Kosovën të luaj në çdo pozicion.
Në tre javët e fundit nuk kam luajtur asnjë ndeshje, ndaj në minutën e 70’ isha pak në vështirësi për shkak të ritmit të lartë, megjithatë ndaj Greqisë do të jem në formë akoma më të mirë.
Java e fundit ka qenë më e mira e karrierës time, pasi besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur dhe jam shumë krenar që përfaqësoj Kosovën”, u shpreh Rrudhani.