
Pas fitores kundër Laçit, ka folur për mediat dhe Erjon Vucaj. Vucaj gjatë një interviste për ''shkodrasport.com'' ka thënë se Vllaznia ka bërë gjithmonë lojë të bukur, madje dhe sezonin e kaluar, në ndeshjet kundër Skënderbeut, Partizanit dhe Kukësit, por thjesht ka qënë e rënduar nga ana psikologjike prandaj arriti nuk arriti të plotësojë objektivat.
''Vllaznia gjithmonë ka qenë e bukur. Thjesht ndoshta mund të ketë qenë një problem psikologjik tek futbollistët. Mjafton t'i referohemi ndeshjeve të sezonit të kaluar kur ata kanë zhvilluar ndeshje shumë të bukura, si me Skënderbeun ashtu edhe me Kukësin e Partizanin. Sportistët në momente të caktuara nuk kanë ditur të shprehen ashtu si duhet dhe unë shpresoj që këtë vit të jetë më ndryshe", përfundoi lojtari.
Mesfushori foli dhe për rikthimin te kuqeblutë dhe ndjesia që ka për ekipin shkodran:
"Besoj se është kënaqësi e madhe jo vetëm për mua, por edhe për çdo shkodran tjetër, madje do të thosha edhe për çdo shqiptar sepse nuk është gjë e vogël që të jesh pjesë e Vllaznisë. Unë do ta quaja privilegj veshjen e fanellës së kësaj skuadre për çdo futbollist", tha ai.
Vucaj u rikthye gjatë merkatos së verës te Vllaznia pas nëntë vitesh larg ekipit shkodran, ndërkohë që sezonin e kaluar luajti për Laçin.