
Sfida mes Kamzës dhe Kukësit për javën e dhjetë të kampionatit pritet të jetë mjaft interesante. Përveç tre pikëve që luhen në këtë sfidë dhe që vlejnë për të dyja ekipet, pasi renditja në tabelën e klasifikimit i ndan nga njëra-tjetra me vetëm tre pikë, një "betejë" për tu fituar do të jetë dhe nga drejtuesit nëse mund të themi kështu.
"Luftë" e hapur është mes presidentit të Kukësit, Safet Gjicit dhe kryetarit të bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Dihet se kryetari i bashkisë së Kamzës e mbëshetet fuqishëm ekipin e Kamzës, ndaj dhe kërkon ta fitojë patjetër këtë sfidë ndaj presidentit të ekipit verilindor, Safet Gjicit.
Dihet se, Xhelal Mziu i ka fituar zgjedhjet për kryetar bashkie në Kamëz pikërisht përballë Safet Gjicit, kjo e bën akoma më të veçantë këtë sfidë, pasi "luftë" për tre pikë nuk do ketë vetëm në fushë, por dhe në tribunë, ku nga Gjici kërkohet "hakmarrje" ndërsa nga Mziua një tjetër sukses.