
Ai është një superstar në Shqipëri. Një hero popullor, pas golit të shënuar në Europian kundër Rumanisë. Armando Sadiku kërkon të luajë në një nga ligat më të mëdha të futbollit europian, shkruan prestigjiozja zvicericane "Blick".
Por, sulmuesi që u huazua në këtë merkato dimri nga Zyrihu te Lugano do të marrë tani pasaportën bullgare. "Kjo është e drejtë", ka thënë Sadiku, "Gjyshërit e mi kanë pasaportën bullgare, kështu që edhe unë e kam kërkuar".
Procesi i natyralizimit tashmë ka filluar; Në janar, 25-vjeçari ishte në zyrën e natyralizimit në kryeqytetin bullgar, Sofje, duke humbur dy ditë përgatitje me Luganon.
Por, përse Sadiku kërkon të jetë një qytetar i dyfishtë dhe të ketë dy pasaporta? Arsyeja është ëndrra e tij për të luajtur në një nga ligat më të forta të Europës: "Anglia apo Italia më intrigojnë", tha sulmuesi.
Zemra mbetet në Shqipëri- Për Sadikun, me pasaportën bullgare në xhep do të ishte më e lehtë të luante në Itali, apo Angli. Kjo sepse në ligat e mëdha evropiane, përparësi u jepet futbollistëve nga vendet e BE-së, të tilla si Bullgaria dhe ka kufizime nga vendet jashtë BE-së si Shqipëria. Numri i të huajve jo të BE-së është e kufizuar në Seria A.
"Shqipëria është krenaria ime më e madhe. Është nder për mua të vesh fanellën shqiptare dhe të përfaqësoj vendin tim", tha Sadiku.